Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e Khabarovskut, në lindje të Rusisë, për tretën ditë me radhë që nga arrestimi i “guvernatorit të popullit” dhe emërimin e një njeriu që nuk ka jetuar kurrë në atë zonë.
Testi më i madh i demokracisë në Rusi në vitet e fundit ka filluar në 11 korrik, dy ditë pasi guvernatori, Sergei Furgal, u transferua në një burg në Moskë me akuzën e përfshirjes në dy vrasje, të cilat supozohet se kanë ndodhur 15 vjet më parë, raporton NBC News.
Qytetarët besojnë se aktakuzat janë të motivuara politikisht, që prej ditësh kanë dalë në rrugë në një numër të madh çdo ditë.
Sipas zyrtarëve të Khabarovsk, një qytet me rreth 600 mijë banorë, në protestën e sotme ishin 6.500 persona ndërsa mediat raportojnë për 90000 protestues, transmeton Telegrafi.
Protestuesit mbanin flamuj të rajonit të tyre dhe pankarta kundër presidentit, Vladimir Putin, ndërsa drejtuesit e veturave i përshëndetën me sirena. Ata u mblodhën para selisë së autoriteteve rajonale, duke bërtitur “Liri!”, “Putin, jep dorëheqje!” dhe “Putin hajduti!”.
Protestuesit pyesin se pse gjykatës iu deshën 15 vjet për të ngritur një aktakuzë dhe kërkojnë që gjykimi i ish-guvernatorit të mbahej në Khabarovsk, së bashku me dëshmitarët. Policët nuk ndërhynë në protestën, megjithëse, ndalimi i tubimeve është në fuqi për shkak të coronavirus.
Në vitin 2018, Furgal mundi papritur kandidatin e Kremlinit dhe fitorja u pa si rezultat i rezistencës ndaj politikës së Putinit dhe partisë në pushtet “Rusia e Bashkuar”.
Gjatë qëndrimit të tij, ai fitoi reputacionin e “guvernatorit të popullit”, duke ulur pagën e tij, shitjen e një jahti të shtrenjtë të blerë nga administrata e mëparshme dhe ka ofruar subvencione të reja për popullatën.