Mbi 1 miliard euro u investuan nga diaspora në Kosovë gjatë vitit 2022.
Kështu, të ardhurat e bashkatdhetarëve shënuan rritje vjetore prej 6 për qind në ekonominë e vendit.
Kjo u bë e ditur nga Banka Qendrore e Kosovës.
“Rritja më e ngadalësuar e remitencave të pranuara në vend, kundrejt viteve paraprake, mund të jetë pasojë e dobësimit të pozicionit financiar të diasporës kosovare, veçanërisht në vendet e BE-së, si pasojë e keqësimit të dinamikave makroekonomike me rritjen e çmimeve të përgjithshme përgjatë vitit 2022”, thuhet në raportin e BQK-së.
Por edhe këtë vit, rritja ekonomike ka shënuar progres.
E cilët janë faktorët e rritjes së remitancave në Kosovë tregojnë vet njohësit e ekonomisë.
“Ne kemi tash një fluks të ri të emigrimit të të rinjve që po shkojnë kryesisht në vendet gjermano-folëse dhe nëse e shohim strukturën gjeografike prej nga vijnë këto remitenca shohim që vijnë nga këto vende”, tha ekonomisti, Visar Vokrri.
Megjithatë, kontributi i diasporës vlerësohet të jetë përtej remitencave, raporton TëVë1.
“Vitin e kaluar kemi pasur diku rreth 500 milionë euro investime dhe ky është një kontribut shtesë, shto kësaj edhe shpenzimet e tyre gjatë kohës së pushimeve këtu. Kështu që mund të them se kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm dhe nuk duhet reduktu vetëm te remitencat”, deklaroi Vokrri.
Ekonomistë të tjerë madje kanë një kërkesë për bizneset në Kosovë.
“Duhet përshëndetur si një impakt pozitiv për ekonomitë familjare, shtetërore dhe rritjen e buxhetit të Kosovës. Mirëpo kish qenë mirë që me rritjen e remitencave, bizneset të mos i rritin çmimet sepse falë diasporës ne kemi rritje të konsumit dhe të investimeve direkte dhe indirekte që e gjallëron ekonominë e Kosovës dhe krijon trende zhvillimore në ekonominë e Kosovës”, vlerësoi ekonomisti Jakup Bellaqa.
Për remitancat e dërguara në Kosovë, në strukturën sipas shteteve primatin e mban Gjermania, Zvicra dhe SHBA-ja.