×
  • Lajme
  • Lajme

    Dëshmitari bashkëpunues tregon se si i ndanin paratë e ryshfetit në rastin e “Subvencioneve”

    FrontOnline
    22 Mars 2025

    Në seancën e djeshme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në pjesën e veçuar të rastit “Subvencionet 1,” ku po akuzohet për marrje ryshfeti Salih Kelmendi, dëshmitari bashkëpunues Alban Bushati tha se ndryshimi në aplikim për subvencione ka qenë për qëllim të përfitimit të mjeteve.

    Dëshmitari Alban Bushati tha se ka pasur kompetencë që të bëjë ndryshim nëse ka ndodhur ndonjë gabim, por që në rastin konkret nuk ka qenë ndonjë korrigjim, raporton “Betimi për Drejtësi.”

    “Në rastin konkret ka qenë qëllim për me i përfitu mjetet.”

    “Jemi marrë vesh me këtë ndryshim të tokës, me i ndihmu Bekim Shalës për një shtallë për majmëri, paret që i takojnë për misër e grurë me i marrë Bekimi ndërsa 70% me i marr na me i nda pjesë-pjesë,” ka deklaruar dëshmitari Alban Bushati.

    Tutje, ai tha se prej 126 mijë euro, 34 mijë euro i kanë ndarë për të akuzuarin Sadat Shkodra.

    “Herën e parë unë e Salihu i kemi nda nga 5 mijë euro, herën e dytë i kemi nda 4 mijë euro secili, herën e tretë i kemi nda kah 9 mijë e diçka, por ka pas mbet me marr edhe pjesën e fundit prej Bekimit, po ndodhen arrestimet,” tha dëshmitari Bushati.

    Po ashtu, ai deklaroi se asnjëherë nuk i ka dërguar para të akuzuarit Salih Kelmendi, por se gjithmonë kanë qenë bashkë kur i kanë marrë parat.

    Ndërsa, në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Lutfi Shala, tha se nuk e di nëse është marrë ndonjë veprim nga Ministria lidhur me kërkesën për kthim në gjendjen e mëparshme, sepse ajo ka qenë në emër të Bekim Shalës dhe se ata është dashur të kontaktojnë me Bekim Shalën.

    Po ashtu, ai tha se nuk është në dijeni nëse i akuzuari Salih Kelmendi e ka ndihmuar të akuzuarin Sadat Shkodrën.

    Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”, të cilët janë: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj, Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.

    Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.

    Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.

    Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

    Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

    Më 9 janar 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim ndaj 12 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj. 11 prej tyre, Gjykata i dënoi me burgim efektiv prej 31 vitesh, 171 mijë euro gjobë dhe 6 vite burgim me kusht (së bashku). Kurse, një i akuzuar u lirua nga të gjitha akuzat.

    Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

    Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.

    Nga Rubrika
    Lajme25 Mars 2025
    Emisari Special i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen sot është takuar në Beograd me presidentin serb, Aleksandër Vuciq, kryediplomatin serb, Marko...
    Lajme25 Mars 2025
    Një gjuajtje me armë zjarri ka ndodhur para pak minutash në rrugën “Bajram Kelmendi”, në Prishtinë. Lajmin për Front Online e ka...
    Lajme25 Mars 2025
    Policia e Kosovës ka konfirmuar që në Prishtinë ka pasur gjuajtje me armë, të martën. Dy persona janë lënduar dhe janë dërguar...
    Të tjera
    Lajme25 Mars 2025
    Xhaxhai i Ardit Zymberit, 19-vjeçarit që humbi jetën si pasojë e një sulmi me armë zjarri, ka thënë se ka pranuar ngushëllime...
    Lajme25 Mars 2025
    Gjatë kësaj jave vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmoferike. Si rrjedhojë, gjatë gjithë javës parashihen vranësira...
    Bota/Rajoni25 Mars 2025
    Drejtuesi politik i koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ishte sot në Elbasan, ku prezantoi kandidatët e partisë për deputetë të këtij qarku në...
    Lajme25 Mars 2025
    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është pyetur lidhur me shtrenjtimin enorm të kilogramit të specave në Kosovë. Peci në një intervistë në...
    Lajme25 Mars 2025
    Ministrit të kabinetit qeveritar Kurti 2 nga komuniteti turk i Kosovës të martën iu ngrit aktakuzë për sulm fizik, në atë që...
    Bota/Rajoni25 Mars 2025
    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u takua sot me homologun e tij austriak, Alexander Van der Bellen. Van der Bellen, pos për...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.