×
  • Lajme
  • Lajme

    Dëshmi historike nga momenti i shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut

    FrontOnline
    02 Korrik 2020

    Me rastin e 30-vjetorit të Deklaratës së 2 Korrikut, gazetari Nuhi Bytyçi ka ndarë momente të asaj kohe kur delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës po përgatiteshin për të miratuar dokumentin e rëndësishëm me të cilin do të shpallej pavarësia e Kosovës nga Serbia.

    Në “Librin e luftës”, Nuhi Bytyçi jep detaje nga periudha e asaj kohe kur ai së bashku me kolegët e tjerë të Televizionit të Prishtinës (TVP), përcillnin mbledhjet historike të Kuvendit.

    Bytyqi kujton se gazetarët shqiptarë të caktuar për të përcjellë mbledhjen historike të 2 korrikut, ishin mobilizuar që së bashku me kameramanët dhe stafin tjetër teknik t’ua prezantojnë shikuesve.

    Më 2 korrik 1990, delegatët shqiptarë ia mësynë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, hyrjes kryesore dhe asaj anësore, për të marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, por ata u penguan nga policia me kërkesë të Beogradit dhe njëherësh policia kishte rrethuar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

    Mbledhja e delegatëve shqiptarë u mbajt para dyerve anësore të Kuvendit, nën masa të rrepta policore serbe.

    Bytyqi thotë se ishte e pamundur të pengohej mbajtja e saj, sepse delegatët shqiptarë me këtë rast po e shprehnin vullnetin e popullit shumicë të Kosovës.

    “Ata kishin mbështetjen edhe të intelektualëve dhe të Alternativës Politike Shqiptare. Mbledhjen e drejtoi delegati nga Prizreni, Bujar Gjurgjeala, kurse Deklarata Kushtetuese e Pavarësisë së Kosovës, e cila u lexua nga Muharrem Shabani, u miratua në mënyrë unanime nga delegatët”, shkruan ai.

    Sipas kësaj Deklarate Kushtetuese, Kosova u shpall njësi e pavarur në kuadër të Federatës Jugosllave. Kjo ngjarje përbënte historinë e kundërshtimit të politikës shoviniste dhe diskriminuese të Beogradit mbi shqiptarët e Kosovës dhe ajo pati jehonë shumë të madhe jo vetëm në Kosovë.

    Më poshtë po japim fragmente nga “LIBRI I LUFTËS” i autorit Nuhi Bytyçi, botuar në mars 2019

    Gjatë majit dhe qershorit të vitit 1990, bashkë me kolegët e tjerë të Televizionit të Prishtinës (TVP), Muhamet Mjekun, Ali Alajn, Enver Malokun, Tahire Govorin e kolegë të tjerë, përcillnim mbledhjet historike të Kuvendit. Kryetar i Kuvendit ishte Gjorgje Bozhoviqi, kurse nënkryetar Ilaz Ramajli. Isha në sallë si gazetar dhe delegatët shqiptarë ishin shumë aktivë, sidomos Ruzhdi Bakalli, Ramadan Kelmendi, Skënder Skenderi, Muharrem Shabani, Bujar Gjurgjealo, Feride Hyseni, Selvije Gjinaj, Adem Mikullovci, Xhemajli Bajra, Daut Krasniqi, Daut Jashanica, Qazim Kelmendi, Ymer Gashi, Nazmi Kelmendi e shumë delegatë të tjerë insistonin që në rend të ditës të futej kërkesa për miratimin e Deklaratës Kushtetuese, sipas së cilës, Kuvendi i Kosovës do ta shpallte pavarësinë nga Serbia. Më 24 dhe 25 qershor të vitit 1990, në cilësinë e gazetarit të TVP-së, isha në sallë bashkë me kolegët e mi dhe përcillnim rrjedhën e mbledhjes historike të Kuvendit. Bozhoviqi nuk lejonte kurrsesi që kjo kërkesë të përshihej si pikë e veçantë e rendit të ditës së Kuvendit të Kosovës.

    Ai e ndërpriste mbledhjen dhe kërkonte që delegatët të largoheshin nga salla e, bashkë me ta, edhe gazetarët. Sigurimi serb kërkonte që ekipi teknik dhe gazetaresk i TVP-së të largohej nga salla, por ne ishim të vendosur mos të dalim nga salla derisa në të qëndronin edhe delegatët e Kuvendit. Më kujtohet momenti kur me urdhër të Bozhoviqit sigurimi serb e ndërpreu edhe rrymën në sallë dhe ajo u errësua, por ekipi teknik e aktivizoi gjeneratorin që e kishim dhe salla u ndriçua, në mënyrë që me autoreportazh ta xhironim tërë rrjedhën e mbledhjes së Kuvendit.

    Kishim kërcënime nga sigurimi serb që t’i ndërpresim reflektorët në sallë dhe t’i nxjerrim kamerat dhe reflektorët nga salla. Por, edhe unë me kolegët e mi vazhduam të qëndrojmë në sallë me të gjithë delegatët. Kjo ishte një mbështetje e fuqishme e ekipit të TVP-së, një sinjal që delegatët shqiptarë mos të dorëzohen, por të qëndrojnë aty deri në realizimin e kërkesave të tyre legjitime.

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ilaz Ramajli, kishte qëndrim të vendosur që mos të dilte nga salla, por Bozhoviqi rrinte në kryesi, në mënyrë që mos ta lejonte Ramajlin ta zëvendësonte atë. Jusuf Zejnullahu, i cili ishte kryetar i Qeverisë së atëhershme, si quhej atëherë kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, rreth orës 03:00 të mëngjesit ka hyrë në sallën e Kuvendit të Kosovës dhe ka mbështetur delegatët shqiptarë në kërkesat e tyre legjitime. Mbledhja qe ndërprerë pas disa minutash, meqë ishte arritur “marrëveshja” në mes të Jusuf Zejnullahut dhe Sllobodan Millosheviqit, që ajo të mbahej një ditë tjetër, më 2 korrik 1990.

    Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990

    Më 2 korrik 1990, paradite, delegatët shqiptarë ia mësynë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, hyrjes kryesore dhe asaj anësore, për të marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës. Por, policia, nën dirigjimin e Beogradit, nuk i lejoi të hyjnë brenda.

    Policia e kishte rrethuar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Bashkë me Ali Alajn, Enver Malokun, Tahire Govorin, Sylejman Gashin, Diana Toskën, Asllan Bajramin, Sylejman Shaqirin, Mahmut Rexhepin, Rrustem Gashin dhe gazetarë të tjerë ishim caktuar që më 2 korrik 1990 ta përcjellim për TVP mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës.

    Të gjithë ishim të mobilizuar që me kameramanët dhe stafin tjetër teknik ta përcjellim këtë mbledhje dhe t’ua prezantojmë shikuesve. E dinim që po përcillnim një ngjarje historike.

    Siç dihet, mbledhja e delegatëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës nuk u mbajt në sallën e Kuvendit, por para dyerve anësore të Kuvendit, nën masa të rrepta policore serbe.

    Ishte e pamundur të pengohej mbajtja e saj, sepse delegatët shqiptarë me këtë rast po e shprehnin vullnetin e popullit shumicë të Kosovës. Ata kishin mbështetjen edhe të intelektualëve dhe të Alternativës Politike Shqiptare. Mbledhjen e drejtoi delegati nga Prizreni, Bujar Gjurgjeala, kurse Deklarata Kushtetuese e Pavarësisë së Kosovës, e cila u lexua nga Muharrem Shabani, u miratua në mënyrë unanime nga delegatët.

    Sipas kësaj Deklarate Kushtetuese, Kosova u shpall njësi e pavarur në kuadër të Federatës Jugosllave. Me këtë rast, unë për TVP zhvillova disa biseda me delegatët Adem Mikullovcin, Sabri Hashanin, Xhemajli Bajrën, Agim Haskajn dhe Xhevat Pllanën. Kjo ngjarje përbënte historinë e kundërshtimit të politikës shoviniste dhe diskriminuese të Beogradit mbi shqiptarët e Kosovës. Pati jehonë shumë të madhe jo vetëm në Kosovë.

    Si u përballa me policinë serbe më 2 korrik 1990

    Pas kryerjes së mbledhjes historike të Kuvendit të Kosovës, pa planifikuar, në redaksi, me vetiniciativë, e mora kameramanin Leonard Mulliqin dhe dolëm në qendër të qytetit, para ish-hotelit “Bozhur”-“Iliria” (sot “Swiss Diamond”) dhe filluam të xhironim disa opinione të qytetarëve, se si e kanë pritur miratimin e Deklaratës Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës.

    E ndala një qytetar që ishte duke ecur, një veteran të arsimit në Prishtinë, Hamëz Gashin nga Çabiqi i Klinës, të cilin fillova ta pyes: “Si e vlerësoni miratimin e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës nga Kuvendi i Kosovës?” Mirëpo, komandanti i njësive speciale serbe, Marko, i cili kishte arritur nga Serbia (Kraleva), vazhdimisht më kishte përcjellë.

    Ai ndërhyri dhe bashkëbiseduesi im nuk pati guxim të përgjigjej, sepse policia serbe kërcënohej se do të shtinte me automatikë në drejtim të tij, timin dhe të kameramanit.

    Megjithëkëtë, nuk u zmbrapsa dhe insistova që Hamëz Gashi të përgjigjej por, kur ai e pa komandantin e policisë serbe që kërkonte të ndërpritej xhirimi, u ndal. I kërkova mirëkuptim komandantit të policisë ta kryejmë këtë bisedë, por ai nuk lejoi, duke dhënë urdhër: “Ndërprite xhirimin!”

    Komandanti dhunshëm e ndërpreu xhirimin e bisedës në prani të shumë qytetarëve, të cilët ndiqnin me interesim të jashtëzakonshëm punën e ekipit të TVP-së. Unë i kisha në dorë dy ekzemplarë të Deklaratës Kushtetuese të Pavarësisë. Kur m’i pa, komandanti më kërkoi t’i jepja njërin. Me qëllim nuk ia dhashë deklaratën, por i thashë: “Deklarata Kushtetuese është për mua që ma kanë dhënë delegatët e Kuvendit. Nuk jam i autorizuar t’jua jap juve!” Nuk doja që me dorën time t’i shërbeja atij, prandaj i thashë: “Shko kërkoje te delegatët e Kuvendit të Kosovës, sepse vetëm ata janë kompetentë për këtë!” Komandanti nuk ma mori dhunshëm Deklaratën Kushtetuese dhe unë vazhdova t’i marr opinionet e qytetarëve në një vend tjetër më të sigurt, ku nuk kishte policë. Me gjithë pengesat e mëdha nga policia serbe e xhirova bisedën me Hamëz Gashin, kurse kolegët e tjerë bisedat me qytetarët e tjerë lidhur me Deklaratën Kushtetuese dhe kronikën speciale i transmetuam në Ditarin qendror të TVP-së, në orën 19:30, më 2 korrik 1990.

    Raportimi i të gjithë gazetarëve të TVP-së nga kjo ngjarje historike ishte në nivel të lartë profesional dhe pati jehonë të madhe në opinion. Dua me këtë rast të potencoj rolin e jashtëzakonshëm që e kanë kryer gazetarët e TV të Prishtinës, të Radio Prishtinës, por edhe të mediave tjera të asaj kohe – “Rilindjes”, “Zërit javor”, “Shkëndijes”, “Fjalës” dhe revistave tjera, të cilat me gjithë presionet dhe kërcënimet e aparatit shtetëror serb, arritën që më sukses ta kryejnë misionin e tyre.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, thotë se është nevojshme që të ketë një format të ri të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Politikani serb nga Mitrovica e Veriut, Aleksandar Arsenijeviq, i ka larguar dekorimet nga sheshi i këtij qyteti. Ai përmes një videoje propagandoi...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Ministria e Punëve të Brendshme ka përditësuar të dhënat në lidhje me gjendjen në pikat kufitare. MPB ka bërë të ditur se pritjet...
    Të tjera
    Vip21 Dhjetor 2024
    Gili së bashku me djalin sonte nisin rrugëtimin e “BBVA”. Ata në këtë rrugëtim do të jenë si një banor i vetëm....
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka takuar strukturat e partisë në Llap, për çfarë ka thënë se takimi u...
    Hulumtime21 Dhjetor 2024
    Sonte zhvillohet super meçi mes Oleksandr Usyk dhe Tyson Fury, që është i dyti mes tyre brenda këtij viti. Ky duel pritet...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink. “Mirësevjen në Kosovë”, ka...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Egli Tako është banorja e parë që ka hyrë në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Ajo është 27 vjeçe dhe ka...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksident që ka ndodhur mbrëmjen e sotme të Dheu i Bardhë, në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.