
Për më shumë se 100 ditë, Albin Kurti udhëhoqi me ekzekutivin e vendit. Por me punën e tij nuk janë të kënaqur të gjithë. Sipas Abelard Tahirit, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kjo udhëheqësi nuk kishte as agjendë qeveritare dhe as program qeveritar.
“LVV-ja dhe Qeveri që është ndërtuar nga LVV-ja në radhë të parë u pa që u ndërtua një qeveri e cila nuk kishte një agjendë qeveritare, një program qeveritar dhe një udhërrëfyes se si do ta drejtonte vendin, të paktën në vitin e parë qeverisës. Pra kishim një qeverisje ad hoc dhe nuk kishim një Qeveri e cila e kishte të bazuar aktivitetin dhe angazhimin e tyre në një plan konkret”, ka thënë Tahiri në një intervistë për Front Online.
Kështu, Tahiri theksoi se gjatë kësaj Qeverie, para deputetëve nuk është prezantuar as edhe ndonjë iniciativë ligjore, përveç Ligjit për Buxhetin.
“Gjatë kësaj qeverisje pothuajse tremujore ose pak më shumë, ne nuk e kemi pasur rastin që të shqyrtojmë asnjë iniciativë ligjore të ardhur nga deputetë ose nga qeveria e LVV-së. Pra qeveria e parë që nuk e ka sjell as edhe një projekt, apo ligj të vetëm për ta trajtuar në Kuvendin e Kosovës. Përveç Ligjit për Buxhetin, asnjë iniciativë tjetër nuk ka ardhur nga kjo Lëvizje”, ka thënë deputeti i PDK-së, për Front Online.