
Regjistrimi i makinave të reja në Mbretërinë e Bashkuar ka shënuar rënie rekord në muajin prill, si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Shifrat e Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtarëve të Makinave tregojnë se muajin e kaluar janë regjistruar vetëm 4,321 makina të reja, që është niveli më i ulët mujor që nga viti 1946. Shifra e prillit shënon rënie të shitjeve në nivelin 97 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtarëve të Makinave tha se nga regjistrimet e bëra muajin e kaluar, 70% ishin nga kompanitë. “Nëse ju thuhet t’i mbyllni të gjitha sallat e ekspozimit të makinave, nuk ështëcudi që shitjet të jenë pothuajse joekzistente”, tha për BBC-në Mike Hawes, shef ekzekutiv i Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtarëve të Makinave në Mbretërinë e Bashkuar.
Një zëdhënës i Shoqatës u shpreh se shumica e makinave të shitura muajin e kaluar, kanë qenë për të mbështetur punëtorët kyçë. Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet më të prekura nga koronavirusi, me mbi 190,000 njerëz të infektuar dhe mbi 32.000 viktima.