Ish-drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu dje njoftoi se ka pranuar vendimin e shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës, që hodhi poshtë si tëpabazuar ankesën e Bordit drejtues të SHSKUK-së, të bërë ndaj vendimit të shkallës së parë të Inspektoratit të Punës, vendim ky i cili e ka anuluar vendimin e Bordit drejtues të SHSKUK-së, për shkarkimin e tij nga pozita e drejtorit.
Pas kësaj përmes një njoftimi për media, ka reaguar Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovë.
Të njëjtit njoftuan se kanë pranuar vendimin me numër 7389, të datës 05.10.2020, nga ana e Inspektoratit të Punës, përmes së cilit njoftohet se është refuzuar ankesa e Bordit Drejtues, për pezullim të Vendimit të Shkallës së Parë të Inspektoratit të Punës, lidhur me shkarkimin e dr. Basri Sejdiu nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së.
“Bordi Drejtues i SHSKUK-së, konsideron që Inspektorati i Punës nuk ka vlerësuar gjendjen faktike në mënyrë adekuate lidhur në këtë çështje, po ashtu, ka vepruar jashtë kompetencave të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-144 për Zyrtarët Publik, si rrjedhojë do të procedojë këtë rast tek institucionet kompetente, konform dispozitave ligjore”, u tha nga Bordi Drejtues.
Sejdiu dje gjithashtu shtoi se vendimi i shkallës së dytë kërkon kthimin e menjëhershëm të tij në pozitën e drejtori të përgjithshëm të SHSKUK-së.