Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Ismet Beqiri, priti sot në takim shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, ambasadorin Lars- Gunnar Wigemark, me të cilin bisedoi për të arriturat dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi ynë në rrugën e integrimit evropian.
Me këtë rast, kryetari Beqiri fillimisht e njoftoi atë me angazhimet që ka Komisioni, përkatësisht fushëveprimtarinë e tij.
Lidhur me këtë, ai nënvizoi se pavarësisht rrethanave të rënduara për shkak të pandemisë, Komisioni ka qenë i përkushtuar që të kontribuojë në çështjet që kanë të bëjnë me integrimin.
Ndër angazhimet konkrete të Komisionit, kryetari Beqiri përmendi përkushtimin që ligjet e miratuara në Kuvend të jenë në harmoni me ato të BE-së.
Kryetari i Komisionit, Beqiri, përfaqësuesit të EULEX-it, z. Lars- Gunnar Wigemark, ia bëri të ditur edhe nevojën e madhe që procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët tonë të marrë fund, ndërkaq, nga ai kërkoi mbështetje të mëtejme për realizimin e këtij qëllimi.
Në fund të fjalës së tij, kryetari i Komisionit, Beqiri, pasi falënderoi përfaqësuesin e EULEX-it për ndihmën e gjertanishme për institucionet e vendit tonë, tha se “vetëm sundimi i plotë i ligjit, garanton të ardhme të sigurt për vendin tonë”.
Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, ambasadori Lars- Gunnar Wigemark, nga ana e tij, vlerësoi angazhimet e Komisionit dhe premtoi bashkëpunim dhe mbështetje edhe në të ardhmen.
Ndër çështjet e ngritura nga ai, vend të veçantë zuri nevoja e sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, ndërkaq, për një sukses të plotë vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet institucionit që ai udhëheqë dhe institucioneve të vendit është në dobi të të gjithëve.