-->
×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    BE-ja kërkon zbatimin e shpejtë të planeve për armatimin

    FrontOnline
    22 Mars 2025

    Gatishmëria mbrojtëse e Evropës duhet të rritet masivisht. Ky ishte vendim i samitit të BE-së. Por për Ukrainën BE-ja nuk ka një qëndrim të përbashkët. U premtuan ndihma pa zotime konkrete.

    Bashkimi Evropian synon të rrisë ndjeshëm gjatë pesë viteve të ardhshme arsenalin e armatimeve. Në samitin e BE-së në Bruksel krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare ranë dakord të bëjnë gjithçka që është e mundur për të forcuar ndjeshëm aftësitë mbrojtëse të Evropës. Deri në vitin 2030 BE-ja planifikon investime deri në 800 miliardë euro për mbrojtjen. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, dëshiron të krijojë ndër të tjera “një instrument të ri financiar evropian” që siguron kredi në një shumë të përgjithshme prej 150 miliardë eurosh. Ka gjithashtu plane për të lehtësuar rregulloret dhe zbutur kërkesat ndaj industrisë së armëve.

    Shkak i këtyre planeve është kërcënimi nga Rusia. Sipas Komisionit Evropian BE-ja duhet të përgatitet menjëherë për mundësinë e një lufte në shkallë të gjerë me Rusinë. Situata konsiderohet veçanërisht e rrezikshme për shkak të njoftimeve të bëra nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka deklaruar se superfuqia bërthamore SHBA nuk do të jetë më në dispozicion pa kushte si një garantuese e paqes në Evropë.

    Një kundër 26 në politikën ndaj Ukrainës

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, i cili ishte i lidhur me video, i bëri thirrje BE-së që të mos heqë dorë nga mbështetja e saj për vendin e tij. Konkretisht ai kërkoi të paktën pesë miliardë euro për predha artilerie. Por BE-ja nuk premtoi një herë për një herë ndihma të reja, të mëdha për Ukrainën.

    Apeli i Zelenskit bazohej në një nismë të shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila në fillim të takimit të Brukselit, bëri përsëri thirrje që të vihej në dispozicion një shumë përkatëse për dërgimin e municioneve për forcat e armatosura ukrainase.

    Kryeministri hungarez Viktor Orban tha në samit se nuk do të pranojë asnjë vendim të ri të BE-së në favor të Ukrainës. Sikurse në samitin e posaçëm më 6 mars për shkak të vetos së Orban-it, nuk arriti të miratohej një deklaratë e përbashkët e BE-së. Udhëheqësit e 26 vendeve të tjera anëtare riafirmuan më pas në një deklaratë, pa Orbanin, se ata vazhdojnë dhe mbështesin pa kushte “pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

    Viktor Orban konsiderohet gjithnjë e më shumë si i afërt me Moskën dhe gjithashtu si një fans i presidentit amerikan Trump.

    Këndvështrime të ndryshme

    Në Bruksel u bë gjithashtu e qartë se pozicioni gjeografik çon në një pamje të ndryshme mes vendeve të Evropës Lindore dhe Jugore në lidhje me Ukrainën. Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, dhe presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, kërkuan që Ukraina të bëhet anëtare e BE-së para vitit 2030.

    Kurse Spanja sheh prioritete të tjera: “Është e rëndësishme të merret parasysh se sfidat me të cilat përballemi në vendet jugore janë disi të ndryshme nga ato me të cilat përballet krahu lindor i BE-së,” paralajmëroi kryeministri spanjoll Pedro Sanchez. Për të ka më shumë prioritet forcimi i kontrolleve kufitare dhe lufta kundër terrorizmit.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni25 Mars 2025
    Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka shkarkuar ambasadoren e Serbisë në Zagreb, Jelena Miliç, sipas një vendimi të publikuar këtë të martë në...
    Bota/Rajoni25 Mars 2025
    Për sakrificën dhe guximin e tij sot në shkollën e mesme Jovan Kostadinov, i riu 19-vjeçar, i cili u ka shpëtuar jetën...
    Bota/Rajoni25 Mars 2025
    “Ibrahim Rugova është, në vlerësimin tim, një gjeni shqiptar në politikën evropiane dhe në politikën botërore. Është një gjeni i papërsëritshëm”, tha...
    Të tjera
    Lajme25 Mars 2025
    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” SH.A. njofton se gjatë punimeve nga Operatori Ekonomik kontraktuar nga Komuna e Gjakovës, gjatë punimeve në rrugën...
    Lajme25 Mars 2025
    Rryma do të shtrenjtohet nga 1 prilli për 15% dhe këtë e bëri punë të kryer kryesuesi i Bordit të Zyrës së...
    Lajme25 Mars 2025
    Njohësi i sigurisë, Drizan Shala, për FrontOnline theksoi se veprimet politike të ndërmarra janë të lejuara dhe mund të sjellin suksese, edhe...
    Lajme25 Mars 2025
    Java Ndërkombëtare e Parasë është iniciativë globale e udhëhequr nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) dhe bashkon 176 vende të...
    Sport25 Mars 2025
    Kombëtarja e Kosovës U21 e ka fituar miqësoren kundër Moldavisë. Moldavia dhe Dardanët e rinj u përballen të martën në Belek të...
    Lajme25 Mars 2025
    Ish-ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj, për FrontOnline thotë se VV ka bërë vetëm propagandë, siç thotë ai, “enversite” lidhur me veriun e...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.