×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Banka Qendrore Evropiane rrit normat e interesit, ekonomistët thonë se kjo prek edhe Kosovën

    FrontOnline
    22 Korrik 2022

    Çdo qytetar dhe biznes në Kosovë që planifikon të marrë kredi, shumë shpejt do të përballet me norma më të larta të interesit.

    Kjo pritet të ndodhë pasi Banka Qendrore Evropiane, për herë të parë pas 11 vjetësh, ka vendosur t’i rrisë normat e interesit, në përpjekjeje për të kontrolluar rritjen e inflacionit në Eurozonë.

    Siç ka bërë të ditur ky institucion më 21 korrik, aktualisht janë rritur normat kyçe të interesit për 0.5 për qind në 0.0 për qind, ndërsa planifikohen edhe rritje të tjera gjatë vitit.

    Sipas Bankës Qendrore Evropiane, kur çmimet në ekonomi rriten shpejt, domethënë kur inflacioni është shumë i lartë, rritja e normave të interesit ndihmon në rikthimin e inflacionit në objektivin prej 2 për qind, në një periudhë afatmesme.

    “Kjo është arsyeja përse ne kemi rritur normat e interesit: për të dërguar mesazhin se nuk do të lejojmë që inflacioni të qëndrojë mbi 2%”, thuhet në shpjegimin e Bankës Qendrore Evropiane.

    Rritja e këtyre normave është situatë që nuk shkon në favor të qytetarëve.

    Këtë e konfirmon edhe eksperti financiar në Kosovë, Milazim Abazi. Ai parasheh që bankat që operojnë në Kosovë, shumë shpejt t’i rrisin normat e interesit për kreditë që u japin qytetarëve dhe bizneseve.

    “Sigurisht se do të ketë rritje të interesit nga bankat komerciale në Kosovë, ndoshta jo shumë, por do të ketë rritje”, thotë ai.

    Për më tepër, shton Abazi, rritja e interesit do të prekë jo vetëm kreditë e reja, por edhe ato që janë dhënë më herët.

    Kjo, sepse vendimi i Bankës Qendrore Evropiane, më 21 korrik, ka rritur edhe të ashtuquajturën normë Euribor.

    Euribor është normë mesatare e interesit, në bazë të së cilës bankat evropiane marrin fonde hua nga njëra-tjetra.

    “Për shembull, një kredimarrës ka marrë më herët në një bankë komerciale kredi me 3 për qind interes, plus Euribor. Deri tash, ai [Euribori] ka qenë zero dhe tani do të jetë 0.5 ose 1 për qind dhe, automatikisht, edhe kreditë e vjetra do të shtrenjtohen për 1 për qind. Pra, ato kredi që janë të kontraktura me këtë bazë”, shpjegon Abazi.

    Në Kosovë veprojnë 11 banka komerciale dhe vlera e kredive në to ka arritur në 4 miliardë euro.

    Në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste.

    Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se norma mesatare e interesit në kredi në muajin janar ka qenë 5.66%; në muajin shkurt 5.9%; në muajin mars 5.80%; në muajin prill 5.77% dhe në muajin maj 5.82%.

    Sipas Agjencisë së Statistikave, norma e inflacionit në Kosovë ka arritur në mbi 14 për qind në muajin qershor, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Lëvizja e çmimeve në Kosovë

    Në Kosovë po vazhdon ngritja e çmimeve të disa produkteve. Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat nga 28 marsi.

    Rritjes së inflacionit gjetkë në botë i kanë kontribuar në masë të madhe pandemia e koronaviursit dhe lufta e Rusisë në Ukrainë.

    Pas njoftimit të Bankës Qendrore Evropiane, Radio Evropa e Lirë ka pyetur disa banka komerciale në Kosovë se cilat kategori do të preken nga rritja e normës së interesit dhe sa do të jetë rritja eventuale.

    Asnjë nga bankat kryesore, përfshirë: Bankën ProCredit, Bankën Raiffeisen, Bankën TEB, Bankën Kombëtare Tregtare dhe Bankën NLB, nuk janë përgjigjur.

    Por, se do të ketë rritje të interesit për kredi nga bankat komerciale në Kosovë e thotë edhe profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi.

    “Rritja e normës së interesit nga Banka Qendrore Evropiane automatikisht do të ndikojë në zonën e euros, që të rriten normat e interesit, me qëllim të parandalimit të shtimit të inflacionit”, thotë Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shton se në Kosovë është e pamundur që institucionet financiare të caktojnë një tavan të normës maksimale të interesit. Sipas tij, këtë mund ta bëjnë shtetet që kanë valutën e tyre.

    Në Ballkanin Perëndimor, vetëm Kosova dhe Mali i Zi përdorin euron si mjet pagese, ndërsa Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina kanë valutat e tyre.

    Disa prej këtyre vendeve kanë paralajmëruar ose kanë rritur tashmë normat e interesit për kredi.

    Në Bosnje, rritja pritet të jetë për 0.7 deri në 0.9 për qind, përkatësisht nga 4.2 për qind në 4.9 për qind.

    Bordi ekzekutiv i Bankës Popullore të Serbisë, e cila është përgjegjëse për politikën monetare kombëtare, ka rritur më 7 korrik normën referencë të interesit në nivelin 2.75 për qind.

    Më 12 korrik, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka rritur normën bazë të interesit në nivelin 2.5 për qind.

    Më 6 korrik, Banka e Shqipërisë ka rritur normën bazë të interesit në 1.25 për qind.
    Norma mesatare e interesit në Mal të Zi ka qenë 5.54 për qind në muajin maj./REL

    Nga Rubrika
    Lajme16 Janar 2025
    Profesori i Shkencave Juridike, Kadri Kryeziu, për FrontOnline thotë se Asociacioni nuk është diçka pozitive dhe për këtë nuk po përmendet në...
    Lajme16 Janar 2025
    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të mërkurën se dy shtete të tjera pritet të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, raporton...
    Lajme16 Janar 2025
    Studentët në Serbi u distancuan nga organizatat ekstremiste, që u shfaqën në një protestë para Gjykatës Kushtetuese në Beograd, në fund të...
    Të tjera
    Lajme15 Janar 2025
    Ish-nënkryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj ka deklaruar se ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi e shohin...
    Lajme15 Janar 2025
    Avokati që përfaqëson familjen e Liridona Ademaj, Leutrim Syla, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares....
    Sport15 Janar 2025
    Arsenali ka arritur fitore ndaj Tottenhamit në derbin e Londrës, të zhvilluar të mërkurën në "Emirates Stadium", duke përmbysur rezultatin nga 0-1 në 2-1 dhe...
    Vip15 Janar 2025
    Ka agravuar debati mes Xuxit dhe Gresës, të cilët eskaluan edhe në ofendime personale. Gresa e quajti Xuxin seksist, ndërsa ai po...
    Vip15 Janar 2025
    Xuxi e ka pasur një bisedë me Drilonin rreth strategjisë brenda shtëpisë më të famshme në vend. Ai e sugjeroi Drilonin që...
    Zgjedhjet 202515 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka thënë se Malisheva përmes tubimit madhështor tregoi...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.