Australia i ka raportuar 19 viktima të reja të koronavirusit, që është shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë.
Vdekjet e reja u regjistruan të hënën në rajonin Viktoria, që është bërë epiqendra e përhapjes së koronavirusit në Australi, shkruan BBC.
Viktoria tashmë i ka regjistruar rreth dy të tretat e shifrës së përgjithshme prej 314 viktimave të koronavirusit dhe rreth 21,400 personave të infektuar në Australi.
Megjithatë, numri i rasteve ditore të infektimeve ka rënë ditëve të fundit, duke ngjallur shpresë se masat e rrepta të izolimit në qytetin Melbourne janë duke funksionuar.
Viktoria i regjistroi 322 raste të reja të hënën, shumë më pak se 725 rastet e shënuara pesë ditë më parë. Rajonet e tjera raportuan zero ose numër të vogël të rasteve.
Kryeministri rajonal i Viktorias, Daniel Andrews, tha se është shumë herët për të thënë nëse masat kufizuese, të cilat u vendosën muajin e kaluar, kanë ndikuar në uljen e numrit të rasteve.