Një operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër, ka bërë të mundur sekuestrimin e disa armëve, municioneve dhe lëndëve narkotike në Shqipëri.
Strukturat e DVP Gjirokastër me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se në lagjen “Përroi Selime”, Lazarat, një shtetas i atjeshëm dispononte armë zjarri, lëndë narkotike organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Sopoti”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi i Shqipërisë Sh. B., 54 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.
Gjatë kontrollit në banesën e SH. B., në një vend të përshtatur në bodrumin e shtëpisë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura 1 armë zjarri kallashnikov, 1 pushkë, 4 krehëra, 900 fishekë, një sasi prej 15.5 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva (në trajtë pluhuri dhe mbetje bimore) të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar u konstatuan dhe disa bimë të kultivuara në oborrin e banesës së tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, shkruan Oranews.