Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Disa raste të tilla janë zbuluar të hënën në Vërmicë, Podujevë e Viti.
Fillimisht në pikën kufitare në Vërmicë, Policia ka ndaluar një 20-vjeçar, i cili pas kontrollit policor është kapur me një qese me substancë narkotike të llojit marihuanë. Për shkak të posedimit të drogës, i riu është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është hapur rast me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur në mesditë po ashtu, në qytetin e Podujevës, ku një 18-vjeçar është ndaluar nga Policia, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme. Gjatë kontrollit policor, të njëjtit i është gjetur një sasi e marihuanës, që është konfiskuar nga Policia. Ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet.
Teksa në fshatin Smirë të Vitisë, Policia ka kryer bastisje në një shtëpi, ku janë gjetur tri armë, që i dyshuari F.I., i posedonte në mënyrë ilegale. Armët janë konfiskuar nga Policia si dëshmi për rastin, ndërsa ndaj të dyshuarit është hapur rasti si “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.