Së paku 36 anëtarë të ekuipazhit të një anijeje turistike në Norvegji kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, ndërsa autoritete tani po përpiqen të gjurmojnë numrin e madh të udhëtarëve të cilët janë shpërndarë para se të vërtetohej infektimi.
Anija “Roald Admudsen” arriti në Tromso të Norvegjisë të premten ku katër anëtarë të ekuipazhit u dërguan në spital, dhe pas testimit u vërtetua se ishin pozitiv me Covid-19. Pas kësaj u testuan të gjithë 158 punonjës në anije dhe edhe 32 tjerë dolën pozitivë.
Pjesa tjetër e ekuipazhit të cilët rezultuan negativ, u kthyen në anije për izolim dy javësh ndërsa tani po kërkohen 178 udhëtarët të cilëve u është lejuar zbarkimi sepse pa diturinë se disa nga punonjësit në anije ishin të infektuar.
Instituti për shëndetësinë publike i Norvegjisë ka deklaruar se edhe katër udhëtarë kanë rezultuar pozitivë mirëpo ende nuk dihet se sa prej tyre janë gjurmuar dhe testuar.
Ky institut ka lajmëruar se ka siguruar adresat e të gjithë udhëtarëve dhe u është dërguar porosi që të vetë izolohen deri në testim.