Fushatën zgjedhore, të vetën, e kreu pak muaj më parë.
E një tjetre, Albin Kurti, ia ka nisur tash rishtazi.
Nga Kosova ai po bën thirrje që në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri të votohen për deputetë tre kandidatët e subjektit të tij atje, Boiken Abazi, Kreshnik Merxhani dhe Iliaz Shehu.
Përzierjen e kryeministrit dhe disa figurave tjera kyçe të VV-së që shkuan matanë kufirit për të dhënë kontributin e tyre edhe fizikisht, po e kritikojnë partitë opozitare në Prishtinë.
Kabineti qeverisës kosovar, sipas PDK-së dhe LDK-së, ka braktisur në kohë pandemie qytetarët.
“E vetmja gjë që ka ndërmarrë kryeministri ka qenë izolimi i Kosovës përderisa ministrat dhe deputetët e tij e kanë qa këtë rrethim dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë”, ka thënë Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të PDK-së.
“Kjo qeveri i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet”, ka shkruar kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku në Facebook.
Kritika kanë edhe nga shoqëria civile e të dyja vendeve.
“E shoh të gabuar në relevancë që shteti i Kosovës nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Shqipërisë. Nëse ne tentojmë me pasë një impakt në Shqipëri vetëm sa i përkeqësojmë marrëdhëniet me Shqipërinë, gjë që për neve nuk është interes”, deklaroi për Front Online, analisti politik kosovar, Nexhmedin Spahiu.
“Z. Kurti, njësoj si z. Rama janë të prirur për akte simbolike, dhe këtë të fundit e shoh si akt më shumë simbolik sesa përmbajtësor, akte që nuk këshillohen të merren kur je drejtues shtetëror, nuk gjejnë dakordësi në vendet partnere perëndimore dhe nuk kanë efekt afatgjatë”, u shpreh për Front Online Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv në Institutin për Studime Politike në Shqipëri.
Përmes komenteve të ndryshme në rrjetet sociale, kundërshtimet e tyre rreth përfshirjes së Kurtit në siç i kanë quajtur ata punë të huaja zgjedhjet në Shqipëri, i kanë shprehur kosovarët.