Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka njoftuar se po planifikon një rritje prej 15% të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët e vendit.
Ky vendim, i cili ende është në proces shqyrtimi, ka shkaktuar shqetësim mes qytetarëve dhe ekspertëve të ekonomisë, të cilët paralajmërojnë se kjo masë do të ketë ndikime të mëdha në ekonominë e vendit.
Rritja e çmimit të energjisë vjen në një kohë kur shumë shtete janë përballur me rritje të kostove të energjisë dhe sfida të tjera të sektorit energjetik dhe ka për qëllim të mbulojë rritjen e shpenzimeve për furnizimin dhe prodhimin e energjisë.
Megjithatë, ky ndryshim i çmimit ka shkaktuar shqetësim tek qytetarët dhe ekspertët, të cilët besojnë se ai mund të sjellë një efekt të zinxhirit në ekonominë e vendit.
Një nga ndikimet më të dukshme pritet të jetë rritja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tjera. Sipas ekspertëve të ekonomisë, çmimi më i lartë i energjisë elektrike do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e produkteve industriale, ushqimeve dhe shërbimeve, pasi shumë biznese dhe industri përdorin energjinë si një nga faktorët kryesorë të prodhimit.
Për më tepër, rritja e çmimit të energjisë do të përkthehet në shpenzime më të larta për konsumatorët, të cilët do të ndihen në buxhetin e tyre për shkak të rritjes së kostove të jetesës.
Shala: Qeveria me rritjen e çmimit të rrymës po përgatitë edhe liberalizimin e tregut, do të kemi dëme direkte në ekonomi
Deputeti i PDK-së¸ Ferat Shala, për FrontOnline, thotë se me rritjen e energjisë elektrike po ndodhë ajo që kjo parti ka paralajmëruar tash e sa kohë.
”Hapja e debatit për shtrenjtim të energjisë është diçka që ne e kemi paralajmëruar shumë më herët, por tash po shpërfaqet ajo’’, thotë ai.
Shala, deklaron se Qeveria në mënyrë direkte dhe indirekte po përgatisin rritjen e energjisë elektrike.
‘’Qeveria dhe mekanizmat e saj direkt dhe indirekt po përgatisin rritje të çmimit dhe po përgatisin gjoja liberalizimin e tregut, që përveç rritjes së çmimit ne kemi edhe një veprim tjetër shumë të rëndësishëm dhe delikat e ai është liberalizimin e tregut dhe rritja e rrymës po shkon paralelisht me liberalizimin e tregut’’ thotë ai.
Sipas tij, me rritjen e rrymës, do të ketë edhe rritje të produkteve tjera.
‘’Ne do të kemi dëm direkt në ekonomi, kjo do të ndikoj në rritjen e çmimit në zinxhirin e prodhimit dhe furnizimit vendor dhe do të ketë refleksion për një inflacion në muajt e ardhshëm. Liberalizimi i tregut do të favorizoj edhe ashtu të dyshuara për korrupsion’’ thotë ai.
Shala potencon se Qeveria po ua hap rrugën kompanive që janë të lidhura me këtë pushte
‘’Tregu prodhues energjetik nuk i plotëson këto gjëra dhe Qeveria po ua hap rrugën kompanive që janë të lidhura me këtë pushtet’’ tha Ferat Shala
Bajrami e LDK-së: Për tri vite çmimi i rrymës u rritë tri herë, do të ketë pasoja të rënda për të gjithë konsumatorët
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, për FrontOnline, deklaron se çmimi i energjisë elektrike është rritur për tri herë në tri vitet e fundit.
‘’Në tri vitet e fundit, çmimi i energjisë elektrike është rritur për herë të tretë dhe tashmë ka kohë që është dyfishuar’’ thotë ajo.
Ajo ka shpjeguar edhe propozimin e ZRrE-së mbi këtë rritje.
‘’Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar një rritje të tarifave prej 15%, e cila do të hyjë në fuqi më 1 prill, por kjo nuk është rritja e vetme për këtë vit. Sipas vendimit të ZRRE-së, KESCO ka filluar procedurat për të detyruar daljen në treg të hapur të të gjitha ndërmarrjeve që punësojnë mbi 50 punëtorë ose që kanë qarkullim mbi 10 milionë euro’’ shprehet Bajrami.
Deputetja e LDK-së, deklaron se rritja e çmimit të rrymës do të çojë në rritjen e shumëfishtë të tarifave për kategoritë e konsumatorëve.
‘’Kjo do të çojë në një rritje të shumëfishtë të tarifave për këtë kategori konsumatorësh, pasi ata do të furnizohen kryesisht nga importi i energjisë. Kjo ndodh sepse KEK-u ka obligim që energjinë e prodhuar ta ofrojë fillimisht për KEDS dhe KESCO, duke i lënë bizneset e mesme dhe të mëdha në mëshirën e tregut të hapur dhe çmimeve më të larta’’,shprehet Bajrami për FrontOnline.
Ajo paralajmëron se do të ketë efekte tërënda për bizneset, punëtorët, punëdhënësit dhe konsumatorët.
‘’Çfarë do të thotë kjo për ekonominë? Rritja e shumëfishtë e çmimit të energjisë për bizneset e mesme dhe të mëdha do të ketë efekte të rënda për bizneset, punëtorët, punëdhënësit dhe konsumatorët. Për me tepër viteve të fundit të gjithë jemi dëshmitarë të një inflacioni galopant dhe gjithashtu të indiferencës së qeverisë ndaj këtij inflacioni, prandaj një rritje tjetër e çmimit të energjisë elektrike, qoftë për ekonomitë familjare, qoftë për bizneset, do të ishte e papërballueshme për qytetarët e vendit, prej të cilëve shumica mezi ia dalin deri në fund të muajit me shpenzime vetëm për artikuj të domosdoshëm’’, përfundoi Bajrami.
Shahini: Kosova po bëhet kampione në Ballkan sa i përket rritjes së çmimit të energjisë – Do të ketë rritje të çmimit të prodhimeve nga bizneset
Agim Shahini nga Agjencia Kosovare e Bizneseve, për FrontOnline shprehet se me rritjen e rrymës prej 15%, Kosova do të bëhet kampione në Ballkan sa i përket çmimit të energjisë elektrike.
”Paralajmërimi se energjia elektrike do të shtrenjtohet për 15% është goditje për të gjithë ekonominë dhe me këtë Kosova do të bëhet kampione me çmimin me të lartë të energjisë elektrike në Ballkan’’, thotë ai.
Shahini, paralajmëron se kjo rritje do të jetë goditje për të gjitha biznese
‘’Kjo do të jetë një goditje për gjitha bizneset prodhuese dhe shërbyese’’, thotë ai.
Sipas tij, bizneset pas rritjes së çmimit të rrymës do i shtrentojnë prodhimet dhe shërbimet e tyre.
‘’Këto biznese do të jenë në pozitë të i shtrentojnë prodhimet dhe shërbimet e veta sepse rryma është bazë e jetës dhe ekonomisë në Kosovë’’ tha Agim Shahini
Muhaxhiri: Qeveria po qëndron pasive – Rritja e çmimit të rrymës goditje direkte ndaj qytetarit dhe ekonomisë
Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Arton Muhaxhiri, për FrontOnline thotë se rritja prej 15% e rrymës do të jetë goditje e rëndë për qytetarët dhe bizneset kosovare.
‘’Rritja e paralajmëruar prej 15% e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët është një goditje e rëndë për qytetarët dhe bizneset, veçanërisht në një kohë kur kostoja e jetesës është tashmë e lartë’’ thotë ai.
Sipas tij, kjo do të ketë ndikime direkte në buxhetin familjar dhe atij të konkurrencës.
‘’Kjo rritje do të ketë ndikime të drejtpërdrejta në buxhetin familjar dhe në konkurrueshmërinë e bizneseve, duke rritur koston e prodhimit dhe të shërbimeve. Edhe më shqetësuese është heshtja e qeverisë përballë kësaj kërkese nga ZRRE-ja’’, thotë ai.
Muhaxhiri, potencon se në vend të marrjes së masave, Qeveria po qëndron pasive, pa ofruar zgjidhje.
‘’Në vend që të marrë masa për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë, qeveria po qëndron pasive, pa ofruar asnjë zgjidhje konkrete. Në vend të heshtjes, ajo duhet të angazhohet për të ndaluar këtë barrë të padrejtë mbi qytetarët, të kërkojë alternativa për uljen e kostove të energjisë dhe të sigurojë që rritjet e çmimeve të mos bëhen normë, por përjashtim’’ tha ai.
Dreshaj: Rritja e çmimit të rrymës do t’i ngris edhe çmimet tjera
Lidhja e Bizneseve të Kosovës: Rritja e tarifave të energjisë, goditje e rëndë Lidhja e Bizneseve të Kosovës kundërshton rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Besart Dreshaj nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) për FrontOnline, shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me propozimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, i cili pritet të ketë ndikim negativ në ekonominë e vendit dhe në sektorin privat. R
‘’Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të rëndojë ndjeshëm bizneset prodhuese dhe ato të shërbimeve, duke rritur kostot operative dhe duke ulur konkurrueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve të Kosovës si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Një vendim i tillë do të krijojë një efekt zinxhir, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve për konsumatorët dhe në fuqinë blerëse të qytetarëve, sepse rritja e cmimit energjisë ndikon rend tek buxheti familjar’’ thotë ai.
Nga LBK theksojnë se një rritje e tillë e tarifave do të detyrojë bizneset të përballen me kosto shtesë, gjë që mund të çojë në rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, ulje të investimeve dhe, potencialisht, humbje të vendeve të punës.
‘’Kjo do të ndikojë negativisht në stabilitetin ekonomik dhe në zhvillimin e sektorit privat në Kosovë. Nëse rritja e çmimit të energjisë bëhet realitet, bizneset do të detyrohen të rrisin çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tyre, duke ulur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe duke krijuar vështirësi për sektorin privat. Për më tepër, një situatë e tillë mund të ndikojë në uljen e eksporteve dhe në zvogëlimin e interesit të investitorëve të huaj për tregun tonë’’ potencon ai.
Dreshaj i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të rishikojnë këtë propozim dhe të shqyrtojnë alternativa të tjera që nuk do të rëndojnë më tej bizneset dhe ekonominë e vendit.
‘’ Prandaj, është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të shqyrtojnë me kujdes këtë çështje dhe të sigurojnë që bizneset të mos përballen me një barrë të papërballueshme financiare. LBK do të vazhdojë të mbrojë interesat e sektorit privat dhe të angazhohet për politika të qëndrueshme ekonomike që nxisin zhvillimin dhe stabilitetin afatgjatë të Kosovës. Lidhja e Bizneseve të Kosovës”, tha Besart Dreshaj nga LBK.