Kompania e Deminimit të mjeteve të rrezikshme të Ushtrisë së Kosovës, ka demoluar një sasi të konsiderueshme të minave, bombave të dorës dhe mjete të tjera të rrezikshme shpërthyese në Kamenicë.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se Kompania e Deminimit ka kryer një operacion të demolimit në fshatin Kopernicë të Kamenicës, ku ka pastruar zonën nga një numër i konsideruar i mjeteve të rrezikshme.
Mjetet të cilat janë demoluar FSK i ka publikuar në rrjetin social Facebook, ku shihen lloje të ndryshme të municioneve dhe eksplozivit.
Vlen të ceket se Kompania e Deminimit në Ushtrinë e Kosovës, shpesh ka organizuar mbajtjen e ligjëratave nëpër shkolla fillore dhe të mesme të Kosovës, për vetëdijesimin e nxënësve nga rreziku i minave dhe mjeteve tjera eksplozive.
Prej që FSK’ja ka filluar operacionet e deminimit, pra qysh nga viti 2010, njësitë e saj kanë pastruar mbi 40 lokacione, me një sipërfaqe mbi 2,500,200metra katrorë dhe kanë gjetur mbi 3700 mjete të ndryshme eksplozive të pashpërthyera.
Që nga koha e luftës e deri më sot, 117 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e minave dhe mjeteve tjera eksplozive, ndërsa 467 të tjerë janë lënduar, andaj puna e kësaj njësie është shumë e rëndësishme, dhe padyshim që puna që ata bëjnë shpëtojnë shumë jetë.