Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti pret që BDI të dalë fitues absolut nga zgjedhjet që po mbahen në Maqedoninë e Veriut. Pasi ka hedhur votën, Ahmeti ka thënë se këto zgjedhje janë të një rëndësie të veçantë meqë fituesit i pret punë e madhe siç është procesi për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Kreu i BDI-së ka thënë se forcat politike që i fitojnë zgjedhjet do të kenë detyra historike për vendin.
Ahmeti ka dhënë këtë përgjigje kur është pyetur se a pret të dalë fitues.
“Tani, nëse nuk e thyeni heshtjen zgjedhore unë mund të flas edhe për këtë temë, por dihet që ne kemi punuar mjaftë, kemi shpjeguar mjaftë opsionet tona, platformat tona, dhe unë pres që të jemi fitues absolut në kombin shqiptar”, tha ai.
Ahmeti, i cili kishte deklaruar se qeveria e re duhet të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar, ka theksuar se fituesit e zgjedhjeve kanë përgjegjësi që të përmbushin standardet për përshpejtim të rrugës drejt anëtarësimit në familjen e madhe evropiane.
“Këto zgjedhje janë të një rendësi të veçantë do të thosha, nëse mbyllem deri tash procese shumë të rëndësishme për vendin dhe rajonin, paqen, stabilitetin e sigurinë, tani po hapim një faqe të re në historinë e këtij vendi për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, me çka forcat fituese në këtë vend kanë përgjegjësi historike që të përmbushin standardet të cilat na ofrojnë dhe përshpejtojnë rrugën drejtë anëtarësimit evropian”, tha ai.
Ahmeti ka shtuar se ky është një moment i rëndësishëm për rritjen e standardit të njerëzve, për arsim më cilësor e shëndetësi më të përparuar.
“Është një mandat që forcave që do të fitojnë në këto zgjedhje sigurisht që u del një punë e madhe që të mos i zhgënjejnë qytetarët por sa më parë këto pritje edhe të përmbushen, dhe ja shumë optimist se nëse punohet me përkushtim dhe punohet me zemër sigurisht që do të arrihet”, ka shtuar ai.
Ahmeti ka bërë thirrje për respektim të rregullave të institucioneve shëndetësore, lidhur me pandeminë Covid-19.