
Në tre ditët e fundit, Kosova ka shënuar bilanc pozitiv në përballjen me koronavirusin.
Mbreme, sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për ditën e tretë me radhë ka pasur më shumë raste të pacientëve të shëruar sesa raste të reja me koronavirus.
IKSHPK ka raportuar se sot janë shëruar 17 pacientë nga koronavirusi ndërsa nga 225 testime – vetëm 9 raste kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.
“Rastet pozitive janë raste kontakti nga: Komuna e Prizrenit: 4 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Prizren), Komuna e Malishevës: 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Lladrovc), dhe nga 1 rast vendbanimet: Sallagrazhdë-Suharekë dhe Rahovec.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Por, edhe dje në Kosovë është shënuar bilanc pozitiv në këtë drejtim. Nga 250 të testuar për koronavirus vetëm 10 prej tyre rezultuan pozitiv, ndërsa 31 pacientë u shëruan.
E bilanci pozitiv ka filluar para 2 ditësh, kur në Kosovë u shëruan 35 pacientë ndërsa nga 226 mostra, vetëm 17 rezultuan pozitive me koronavirus.
Ndërsa, në shifra të përgjithshme në Kosovë që nga 8 shkurti deri më sonte, janë gjithsej 799 raste pozitive me koronavirus, derisa 22 raste kanë përfunduar me fatalitet – të gjitha me sëmundje të tjera shoqëruese.
E pozitive është se numri i të shëruarve ka mbërritur në 249 dhe bazuar në 3 ditët e fundit ky numër po rritet shumëfish më shumë sesa numri i rasteve të reja me koronavirus.
Autoritetet e Shëndetësisë në Kosovë kanë paralajmëruar se Kosova është në rrugë të mirë të mposhtjes së koronavirusit, por nuk duhet të relaksohemi tepër – pasi ende ekziston rreziku i shkallës së lartë nga ky virus.