Partia Demokratike e Kosovës duket se nuk e ka ndërmend të ndërrojë qëndrim sa i përket votimit të Presidentit. Kjo parti nuk do të marrë pjesë as në seancën që do të mbahet sonte, pas dështimit të asaj të së shtunës
Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar deputetja e PDK’së, Blerta Deliu-Kodra.
E pyetur nëse PDK’së i është kërkuar nga ambasadorët e huaj në Kosovë për të marrë pjesë në seancën e votimit të Presidentit, Deliu-Kodra ka deklaruar se kjo nuk ka ndodhur.
“Jo, jo. Kurrfarë takimi të ri nuk ka pasur, kurrfarë ndryshimi të qëndrimit nuk ka. Mbetet vendimi i Këshillit Drejtues, atë që e kemi qartësuar prej fillimi”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Ndërkaq ajo nuk ka informata nëse dikush nga partia e ka kontaktuar deputetin Xhavit Haliti, pas deklaratave se nuk e ka ditur se ka seancë të shtunën dhe se nuk ndodhet në Kosovë, por po të ishte këtu, do të merrte pjesë.
“Jo për besë, nuk kam informatë nëse ka kontaktuar dikush”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Ndryshe, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK’së, Enver Hoxhaj dhe deputeti Bedri Hamza, të shtunën kanë qëndruar për pak minuta në seancën ku do të votohej Presidenti.
Hoxhaj tha se me zgjedhjen e Osmanit në krye të shtetit, kryeministri Albin Kurti po dëshiron kontroll absolut të tri institucioneve të shtetit: kuvendit, qeverisë dhe presidencës.