×
  • Lajme
  • Lajme

    A e ka pezulluar Kosova lobimin

    FrontOnline
    03 Gusht 2020

    Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se institucionet, bashkë me mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, janë duke punuar që Kosova të bëhet anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe ato financiare. Njohësit e zhvillimeve politike, ndërkaq theksojnë se Kosova deri më tash ka dështuar të ndërtojë një diplomaci funksionale dhe profesionale. Kosova, sipas tyre, ka ngecur sa i takon çështjes së lobimit për njohje të reja, por edhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

    Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, thonë se ky institucion po “vazhdon të punojë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga zyra për informim e kësaj ministrie, thuhet se Kosova deri tash është anëtare e 106 mekanizmave shumëpalësh (ndërkombëtarë dhe rajonalë) dhe 34 organizatave sportive.

    Por, zyrtarë të kësaj ministrie nuk kanë dhënë përgjigje konkrete në pyetjen se në cilat organizata ndërkombëtare po synon të aplikojë Republika e Kosovës dhe a është duke lobuar për njohje të reja të pavarësisë.

    Në muajin qershor të këtij viti, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka thënë se “Kosova është pajtuar që të pezullojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbia u pajtua që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeje të pavarësisë së Kosovës”. Kjo u bë për t’i dhënë mundësi vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Dialogu ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Grenell gjithashtu pati paralajmëruar se dy palët do të takoheshin në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor. Por, ky takim, është anuluar për shkak të njoftimit për një aktakuzë kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.

    Dialogu megjithatë ka vazhduar në Bruksel më 16 korrik, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

    Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se “nuk ka pezullim të aktiviteteve për lobim”.

    Njohës të çështjeve politike dyshojnë se për këtë çështje ka pasur marrëveshje zyrtare në mes të dy palëve.

    Profesori Gëzim Visoka, ligjërues për studimet mbi paqen dhe konfliktet në Dublin City University në Irlandë, tha se Serbia ka argumentuar se do t’i japë fund fushatës së çnjohjes kur Kosova ose aleatët e saj të përfundojnë fushatën e tyre të njohjes.

    Visoka mendon se si pjesë e rifillimit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Serbia dhe Kosova janë pajtuar që të ndërprenë veprimet që mund të duken të dëmshme karshi normalizimit të raporteve ndërshtetërore, por sipas tij, duket që ka qenë më shumë premtim gojor sesa marrëveshje e shkruar.

    “Për Serbinë, çnjohja Kosovës është një përpjekje për ta çakorduar dhe përfundimisht për t’i dhënë fund përpjekjeve të Kosovës dhe aleatëve të saj për njohje ndërkombëtare dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, thotë Visoka, duke shtuar se kjo është një përpjekje diplomatike e Serbisë që synon të krijojë një status quo të re, ku Beogradi zyrtar mban epërsi në bisedimet e ardhshme me Kosovën.

    Edhe Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë se nëse do ekzistonte një marrëveshje e tillë, do të duhej të respektohej nga të dyja palët.

    “Në të kundërtën nëse nuk ekziston një marrëveshje e tillë, atëherë është paradoksale të hiqet dorë nga aplikimi nëpër organizata ndërkombëtare dhe jo vetëm në UNESCO dhe INTEPOL, por të vazhdohet me një numër relativisht ku Kosova e ka derën e hapur, qoftë ato agjenci të specializuara të Kombeve të Bashkuara, ku nuk është e domosdoshme të jesh anëtar i OKB-së”, tha Hoti.

    Këto vitet e fundit, thotë Hoti, Kosova ka humbur kohë jashtëzakonisht shumë, për shkak të agjendës së brendshme politike, duke u marrë me çështje sekondare dhe terciare, kurse vendi, sipas tij, është lënë pa u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

    Kurse, sa i përket deklarimit të kryeministrit Hoti, se “nuk ka pezullim të aktiviteteve për lobim”, profesori Gëzim Visoka thotë se nëse “deklarata përcillet me një strategji dhe veprime serioze diplomatike, duhet mirëpritur dhe shikuar si përpjekje për ringjalljet të politikës së jashtme të Kosovës”.

    Mirëpo, nëse është kjo deklaratë është bërë si retorikë për përdorim vendor apo për të shtyrë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, sipas Visokës, do të ketë pasoja negative për Kosovën.

    “Kjo për faktin se Serbia që tani ka paralajmëruar vazhdimin e fushatës për çnjohje dhe fajin për ngecje të dialogut, BE-ja do ia lë Kosovës. Pra, Kosova duhet të ndajë politikën e saj për njohje me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Këto mund ta bëjë vetëm nëse zhvillon një fushatë të re strategjike dhe afatgjate për fuqizim të subjektivitetit të saj ndërkombëtar”, tha Visoka.

    Kryeministri Hoti, gjatë javës se kaluar ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe se sipas tij, pa mbështetjen ndërkombëtare, Kosova nuk mund të anëtarësohet në asnjë organizatë.

    “Çdo anëtarësim i Kosovës në organizata ndërkombëtare bëhet gjithmonë në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo është e vërteta. Ne jemi dakorduar që në këtë proces të rrugëtojmë bashkë sepse e dimë që po nuk e patëm këtë mbështetje, nuk mund të çojmë përpara këtë agjendë të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, është shprehur Hoti pas një vizite në Ministrinë e Mbrojtjes.

    Pengesat më të mëdha Kosova i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë nga shteti i Serbisë, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

    Serbia që nga viti 2017, ka bërë fushatë agresive diplomatike për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës. Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Serbisë kanë deklaruar se më shumë se dhjetë vende e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

    Për shkak të lobimit kundër pavarësisë se Kosovë nga ana e Serbisë, disa shtete thuhet se kanë ngrirë raporte e bashkëpunimit me Kosovës.

    Fushata e Serbisë ka penguar që Kosova të anëtarësohet në: Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

    Përveç INTERPOL-it dhe UNESCO-s, Kosova nuk është anëtare as e Organizatës së Kombeve te Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

    Organizatat në të cilat është anëtarësuar Kosova janë: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Federata Botërore e Futbollit, Federata Evropiane e Futbollit, Komiteti Olimpik, Organizata Botërore e Doganave, Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA).

    Po ashtu, Kosova dhe Agjencia e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EUROPOL, kanë nënshkruar më 27 korrik, një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim që të luftohen krimet e rënda. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, që nënshkroi këtë marrëveshje, tha se ajo do të avancojë dhe forcojë kapacitetet e Kosovës në luftimin e kriminalitetit.

    Kosova, në bazë të kësaj marrëveshjeje, do të ketë oficerë ndërlidhës në EUROPOL.

    Nga Rubrika
    Lajme23 Dhjetor 2024
    Sot mbushen 35 vjet nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Në shtator dhe tetor 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh,...
    Lajme23 Dhjetor 2024
    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se moti sot të jetë i vranët, me riga shiu gjatë ditës, të cilat...
    Lajme23 Dhjetor 2024
    Mbi 12 milionë euro kanë arritur shpenzimet e udhëtimit dhe telekomunikimit të institucioneve shtetërore vetëm për nëntë muaj të këtij viti, përkatësisht...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Visar Azemi, kryetari I degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Ferizaj, e ka përshkruar vitin 2024 si shumë sfidues, por...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Për të hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare te Dheu i Bardhë pritjet zgjasin 60-70 minuta, për momentin. E në Jarinje ato...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Pas vendimit që në Shqipëri të mbyllet Tik-Toku, një gjë e tillë po kërkohet edhe në Kosovë. Këtë dëshirë e shprehën prindërit,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.