Është deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Veprimtar i çështjes kombëtare, shkrimtar e redaktor i kahmotshëm.
Angazhimin e tij në politikë e nisi në moshë të re, bashkë me gruan e tij, Xhemilen.
Atë po e vazhdon edhe sot.
Si më i vjetri për nga mosha në mesin e deputetëve të legjislativit, e udhëhoqi seancën e parë konstituive më 22 mars 2021, në legjislaturën e tetë.
Në një rrëfim për Front Online, deputeti Avni Dehari, tregon emocionet e asaj dite.
“Privilegjin për ta udhëhequr seancën e parë konstituive të një legjislacioni të Kuvendit të Kosovës ta ofron mosha. Për mua ka qenë një akt nderi dhe një akt solemn”, ka treguar ai.
Kush e shtyri Avni Deharin të kandidoj për deputet?
Por çka e shtyri të kandidoj për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovë?
Dehari tregon se ishin shokët ata që e shtynë përpara që të marrë këtë vendim.
“Disa shokë, numri i të cilëve nuk është i vogël, bashkëveprimtarë të hershëm politikë dhe shumë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje më kanë nxitur që të kandidoj për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Derisa flet për detyrat dhe përgjegjësitë si deputet, thotë se parësore është trajtimi i kërkesave të qytetarëve në Kuvend.
Këto janë sukseset që solli qeverisja “Kurti” sipas deputetit Avni Dehari
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, në një intervistë për Front Online, ka folur për punën që është bërë në ekzekutiv nga partia që vjen.
Thotë se asnjëherë nuk mund të thuhet se është bërë mjaft, por renditë disa nga ato që ai konsideron se janë kryer suksesshëm.
“Gjatë kësaj kohe është luftuar suksesshëm pandemia Covid 19, lufta kundër korrupsionit ka shënuar shumë rezultate, buxheti i Republikës së Kosovës ka shënuar ngritje shumëmilionëshe, janë shënuar suksese në ekonomi, në investime në kulturë, në bujqësi e në fusha të tjera, janë hapur vende të reja pune etj. Megjithatë ka shumë punë për t’u bërë. Për këtë nuk mungon angazhimi”, ka thënë Dehari për Front Online.
Avni Dehari për vdekjen e djalit Astritit: Ardhja e raportit nga Zvicra do ta nxjerrë në shesh të vërtetën
Duke folur për vdekjen e djalit të tij, Astrit Dehari, më 5 nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij të paraburgimit të Prizren, Avni Dehari thotë se ka besim se me Vetëvendosjen në krye të shtetit, do të krijohen kushtet që të zgjidhen të gjitha vrasjet që deri më tani nuk janë zbardhur.
“Kam besim të plot se Lëvizja Vetëvendosje në krye të shtetit do të krijojë kushte politike për zbardhjen e të gjitha rasteve. Kurrë nuk e ndaj fatin e fëmijëve të mi nga fati i gjithë qytetarëve të Kosovës. Nuk do të kishte kurrfarë kuptimi që të zbardhej rasti i Astritit e të mos zbardheshin rastet e tjera”, thotë ai për Front Online.
Deputeti Dehari thotë se synimi i partisë së tij është shteti ligjor, dhe zbardhja e të gjitha rasteve të vdekjeve që kanë mbetur deri më tani mister.
Ai ka treguar se janë në pritje të raportit plotësues nga ekspertët zviceranë dhe me ardhjen e këtij raporti do të mësohet e vërteta për vdekjen e Astritit.
“Nuk duhet të synojmë një shtet të padrejtë, që i zbardh vetëm rastet e anëtarëve të vet politikë. Duhet të synojmë një shtet ligjor dorën e të cilit do ta ndienin njësoj të gjithë në Kosovë pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, politike, sociale, rajonale e fetare. Tash për tash jemi në pritje të raportit plotësues nga ekspertët zviceranë. Ardhja e këtij raporti do ta nxjerrë në shesh të vërtetën”, ka thënë ai.
Avni Dehari tregon kush janë dy politikanët më të mirë nga paslufta
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, ka dyzet vjet që merret me politikë.
Angazhimin e tij në politikë e nisi bashkë me gruan e tij, Xhemilen.
Që nga ajo kohë, ai i sheh si model të politikanëve dy personalitete.
“Adem Demaçi dhe Albin Kurti”, ishte përgjigja e Deharit kur u pyet nga Front Online.
Avni Dehari tregon se cilin profesion do ta ushtronte nëse s‘do të bëhej deputet e shkrimtar
Nga viti 1969 deri më 1981 ka qenë mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Ferizaj, Gjilan dhe në Kumanovë.
Këtë profesion që e udhëhoqi për disa vjet, do ta bënte edhe sot nëse nuk do të ishte deputet e shkrimtar.
“Profesionin e mësimdhënësit”, u përgjigj Avni Dehari, kur u pyet nga Front Online se cilin profesion do ta zgjidhte nëse jo atë të deputetit e shkrimtarit.
Avni Dehari tregon se a do të bëhej pjesë e ndonjë partie politike po të mos ishte “Vetëvendosja”
Deputeti Avni Dehari tregon se me veprimtari politike është marrë që nga viti 1981, dhe si shumicës së shqiptarëve atij iu imponua ky profesion për shkak të pozitës që e kanë pasur në ish-Jugosllavi.
“Në vitet e para pas çlirimit të Kosovës kam mbështetur aktivitetet politike që kanë ndihmuar shtetformimin e Kosovës. Që nga themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje kam mbështetur të gjitha aktivitetet e saj, në të cilën edhe jam anëtarësuar”, tha ai për Front Online.
Ai thotë se vetën nuk e sheh në asnjë parti politike, nëse s’do të ishte në Vetëvendosje.
“Në asnjë tjetër”, u përgjigj ai për Front Online.