Sonte në Pragë, me fillim nga ora 20:45, do të luhet ndeshja mes Ukrainës dhe Shqipërisë, e vlefshme për xhiron e parë të Grupit 1 të Ligës B në Ligën e Kombeve.
Tashmë janë publikuar 11-shet titullare të të dyja ekipeve. Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka bërë disa ndryshime në formacionin titullar. Në portë, Sylvinho ka vendosur t’i besojë Thomas Strakoshës, derisa pas mungesës së kapitenit Berat Gjimshiti, ai ka rikthyer qendërmbrojtësit Marash Kumbulla dhe Ardian Ismajli në vijën e mbrojtjes. Në krahët e mbrojtjes, do të luajnë Mario Mitaj dhe Elseid Hysaj, i cili këtë herë do të mbajë shiritin e kapitenit. Mesfusha e kuqezinjve do të drejtohet nga Ylber Ramadani dhe Kristjan Asllani, të cilët pritet të sigurojnë stabilitet në fazën mbrojtëse dhe të organizojnë lojën në mesfushë. Ndërkohë, më përpara do të pozicionohen Qazim Laçi, Nedim Bajrami dhe Jasir Asani, të cilët do ta mbështesin sulmuesin e vetëm, Rey Manajn.