×
  • Lajme
  • Kronika
  • Kronika

    Policia arreston vëllanë e të dënuarit për terrorizëm në SHBA

    FrontOnline
    19 Janar 2021

    Policia e Kosovës ka arrestuar vëllanë e Ardit Ferizit nga Gjakova, i cili tashmë është i dënuar me 20 vjet burgim në Shtetet e Bashkuara për vepra terroriste, ka thënë Policia e Kosovës për Radion Evropa e Lirë, pa dhënë detaje se kur ka ndodhur arrestimi.

    Derisa ishte në burg, Ardit Ferizi ka bashkëpunuar më vëllanë e tij ku kanë kryer vepra penale, siç janë hyrje në informacione personale të qytetarëve të SHBA-së me qëllim të përftimit material, thuhet në një aktakuzë të ngritur në fillim të këtij muaji nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.

    “Policia e Kosovës ka trajtuar disa raste ku personi në fjalë ka qenë i dyshuar, kryesisht raste me element të sulmeve kibernetike”, thuhet në një përgjigje të Policisë së Kosovës dërguar REL-it.

    “I njëjti është arrestuar si i dyshuar për këto raste, për të cilat në kohën e kryerjes së veprës ka qenë i mitur. Të gjitha rastet janë proceduar me kallëzim penal në prokuroritë përkatëse”, thuhet tutje në përgjigje.

    Policia nuk ka treguar se cili është roli i autoriteteve amerikane në rastin e arrestimit të kosovarit, mirëpo ka thënë se “ka pasur bashkëpunim edhe me institucione dhe autoritete tjera kompetente”.

    Sipas aktakuzës, të dhënat janë vjedhur mes viteve 2017-2019. Ardit Ferizi, edhe pse i burgosur në një burg federal, kishte qasje në internet. Sipas aktakuzës, vëllai i Ferizit po menaxhonte edhe llogaritë e tij pasi Ferizi i shkruante atij të “mbajë e-mail-at aktivë dhe mos i lë të mbyllen”.

    Në aktakuzë thuhet se vëllai i tij në Kosovë po menaxhonte disa llogari të kriptovalutave Bitcoin dhe Etherium, për të cilat llogari, autoritet amerikane thonë se janë të vjedhura.

    Përveç llogarive të kriptovalutave, të dy vëllezërit dyshohet se kanë vjedhur edhe të dhëna personale të identifikueshme, lista të shumta të llogarive të vjedhura të postës elektronike, numra të pjesshëm të kartave të kreditit, fjalëkalime dhe informacione të tjera konfidenciale.

    Sipas prokurorit, vjedhja e informatave ishin frytet e veprimtarisë kriminale të hakimit të Ferizit. Bazuar në një adresë IP që rezultoi se ishte nga Kosova, u përcaktua se vëllai i tij shkarkoi bazat e të dhënave të informacionit që ishin vjedhur.

    Ardit Ferizi, 25 vjeç është një shtetas i Kosovës, i cili u deportua nga Malajzia në SHBA në vitin 2016 për t’u përballur me akuza për terrorizëm. Ai u deklarua fajtor për qasje të paautorizuar në informacionet kompjuterike, të dhëna që ua kishte dërguar një grupi terrorist. Këto të dhëna, kryesisht të ushtarëve dhe punonjëseve qeveritarë amerikanë, ua ka kaluar pjesëtarëve të të ashtuquajturit, Shteti Islamik (IS).

    Në vitin 2016, Ferizi u dënua me 20 vjet burgim për vjedhje të të dhënave të afërsisht 1,300 personave që përdornin adresa me .mil dhe .gov.

    Pas një ankese, dënimi i tij u zvogëlua në dhjetor të vitit 2020 dhe atij do t’i njihej koha e shërbyer në burg në SHBA. Për dhjetë vjet të tjera do të lirohej në Kosovë, por nën mbikëqyrje. Gjakovari po priste deportimin në Kosovë, kur Byroja Federale e Hetimeve (FBI), tha se ai kishte kryer krime tjera edhe gjatë kohës sa ishte në burg.

    Më 6 janar të këtij viti, Ferizi ishte dërguar në një qendër paraburgimi në Pensilvani duke pritur të kthehej Kosovë. Nëse shpallet fajtor për akuzat e reja, Ardit Ferizi mund dënohet deri në 22 vjet burgim dhe një gjobë prej 250,000 dollarë amerikanë.

    1 abonim, 3 paisje, 240 kanale shqip – NimiTV në gjithë Evropën për vetëm 99.90€ për 12 muaj
    Nga Rubrika
    Lajme02 Maj 2024
    Kuvendi i Serbisë e ka zgjedhur Qeverinë e re të vendit të enjten pas një debati disaorësh dhe me gjithë kritikat nga...
    Lajme02 Maj 2024
    Franca dhe Gjermania po kërkojnë që draft-statuti i Asociacionit të shkojë në Gjykatën Kushtetuese me kusht që Kosova të anëtarësohet në Këshillin...
    Lajme02 Maj 2024
    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, ka reaguar ndaj qëndrimit të sotëm të Bashkimit Evropian se për heqjen e masave vendosin...
    Të tjera
    Lajme02 Maj 2024
    Profesori Daniel Serwer, i njohur për ekspertizën e tij në menaxhimin e konflikteve dhe politikën e jashtme amerikane, ka folur për anëtarësim...
    Lajme02 Maj 2024
    Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka deklaruar se nuk i duhen raportet e “Freedom House” dhe i Departamentit Amerikan të Shtetit që...
    Lajme02 Maj 2024
    Presidenti amerikan, Joe Biden do të mbajë fjalim në protestat pro-palestineze që po ndodhin në mbarë vendin në kolegje dhe universitete. Kështu...
    Lajme02 Maj 2024
    Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka qenë kritik ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes. Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ai...
    Lajme02 Maj 2024
    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar Arijan Sijarinën, i cili ishte shpallur në kërkim, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Vrasje...
    Lajme02 Maj 2024
    Kreu i Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili njëherit është edhe kandidat i PDK-së për kryeministër, ka marrë sot pjesë në përvjetorin e...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.