×
  • Lajme
  • Lajme

    Zgjidhet Qeveria e re e Serbisë

    FrontOnline
    02 Maj 2024

    Kuvendi i Serbisë e ka zgjedhur Qeverinë e re të vendit të enjten pas një debati disaorësh dhe me gjithë kritikat nga opozita.

    Me 152 vota për, 61 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Serbisë votuan për Qeverinë e re të Serbisë më 2 maj.

    Përbërja e Qeverisë së re u kritikua paraprakisht nga Departamenti amerikan i Shtetit, pasi pjesë e saj janë dy zyrtarë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.

    Qeveria e re do të betohet tani dhe pastaj do ta fillojë mandatin e ri katërvjeçar.

    Përfaqësuesi i përbërjes së Qeverisë së Serbisë dhe lideri i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millosh Vuçeviq, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë deklaroi se Serbia e ka ende synim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).
    Së fundi, BE-ja zyrtarisht ka kushtëzuar integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën.

    Vuçeviq tha se pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia ta “poshtërojë” veten duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

    Por, ai theksoi që Serbia nuk do t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

    “Nuk ka dyshim se presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por jemi të vendosur që të qëndrojmë në të njëjtat pozicione”, tha Vuçeviq.

    “Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve”, tha ai.

    Qeveria u formua katër muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në të cilat progresistët fituan mbi gjysmën e shumicës në asamblenë republikane. Afati i fundit për zgjedhjen e Qeverisë së re ishte 6 maji.

    Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – do të jetë zëvendëskryeministër në Qeverinë e re serbe.

    Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviq, do të jetë po ashtu pjesë e Qeverisë si ministër pa portofol.

    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se SHBA-ja është “e zhgënjyer” nga propozimi i Vulinit dhe Popoviqit dhe shtoi se të dy mbeten nën sanksione, sepse qëndrimi i SHBA-së ndaj tyre është “i njohur mirë”.

    Ndërkohë, shefi aktual i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratisllav Gashiq, deri më tash ministër i Policisë.

    Marko Gjuriq, ish-ambasador i Serbisë në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi, do t’i bashkohet Qeverisë si ministër i Punëve të Jashtme.

    Qeveria e re e Serbisë merr detyrën pas zgjedhjeve të dhjetorit, të cilat me shumicë votash i fitoi Partia Përparimtare Serbe (SNS).

    Koalicionet e opozitës, Serbia kundër dhunës dhe NADA, e akuzuan koalicionin e udhëhequr nga SNS-ja për vjedhje në zgjedhje.

    Parregullsi të shumta gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, krahinore dhe lokale, që u mbajtën më 17 dhjetor në Serbi, vunë në dukje edhe misionet vëzhguese ndërkombëtare dhe vendore.

    Autoritetet, në anën tjetër, mohuan se ka pasur parregullsi të mëdha zgjedhore./REL

    EKSKULZIVE: Art Motion dhe Klan Kosova fitojnë të drejtën televizive të Superligës, Ligës së parë si dhe Kupës së Kosovës 
    Nga Rubrika
    Lajme17 Maj 2024
    Kryediplomati i Shqipërisë, Igli Hasani, ka konfirmuar që sot ka dështuar përfundimisht të vendoset në agjendë të Komitetit të Ministrave pika për...
    Lajme17 Maj 2024
    Ka vdekur pjestari i Policisë së Kosovës, Rrustem Palushi. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Sindikata e Policisë...
    Front TV17 Maj 2024
    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë  se kryeministri Albin Kurti vepron në mënyrë të papërgjegjshme dhe ka qasje...
    Të tjera
    Lajme17 Maj 2024
    Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se kushtëzimet për anëtarësim në Këshill të Evropës ndërlidhet me pranimin e marrëveshjes...
    Lajme17 Maj 2024
    Ministri francez për Çështjet Evropiane, Jean-Noel Barrot, tha sot se Franca mendon se në këtë fazë ekziston rreziku që çështja e Kosovës...
    Lajme17 Maj 2024
    Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, që ka nisur më 5 prill. Rezultatet preliminare të regjistrimit pritet...
    Lajme17 Maj 2024
    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Berlin ka takuar edhe deputetin e Bundestagut, Knut Abrahams. Ish-ministri i Jashtëm...
    Bota/Rajoni17 Maj 2024
    Qeveria pa shqiptarë legjitimë është njëjtë si qeveri pa shqiptarë, tha Bujar Osmani. Osmani në “Kanal5” thotë se VLEN, koalicioni që tani...
    Lajme17 Maj 2024
    Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, është bërë bashkë me miq nga Kosova, përfaqësues të shoqërisë civile e diplomatë të shumtë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.