Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 17 shtator, shpalli pesë emra si zëvendësues të mundshëm, për pozitën e lirë të këshilltarit të sigurisë kombëtare, katër prej të cilëve kanë punuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, raportoi “Reuters”.
Duke folur para gazetarëve në bordin e aeroplanit presidencial, Trump renditi fillimisht, Ricky Waddell, një ish-këshilltar i sigurisë kombëtare, së bashku me Keith Kellogg, i cili aktualisht shërben si këshilltar për siguri i nënpresidentit amerikan, Mike Pence.
Më pas, Robert O’Brien, u veçua si një pasardhës i mundshëm i John Boltonit, i cili u shkarkua javën e kaluar nga ana e presidentit Trump. O’Brien është një veteran i politikës së jashtme në qarqet e partisë republikane.
Lisa Gordon-Hagerty, nënsekretare e sigurisë bërthamore në Departamentin e Energjisë, gjithashtu u rendit si zëvendësuese e mundshme e Boltonit. Ajo gjithashtu ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Pozita e këshilltarit të sigurisë kombëtare nuk kërkon konfirmim të Senatit të SHBA-së. Këshilltari-ja e sigurisë kombëtare jep këshilla për çështjet e mbrojtjes, të sigurisë dhe diplomacisë dhe është pozicioni më i lartë i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare.
Më 10 shtator, presidenti Donald Trump, e shkarkoi këshilltarin e sigurisë kombëtare, John Bolton, duke i thënë se shërbimet e tij në Shtëpinë e Bardhë nuk janë më të nevojshme.