Ministri për Europë i Gjermanisë, Michael Roth ka thënë se është i zhgënjyer që nuk kishte përparim në integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor gjatë kryesimit gjerman të BE’së në gjashtë muajt e fundit.
“Me urgjencë na duhen sinjale pozitive për Ballkanin Perëndimor. Po luhet zare me besueshmërinë tonë” tha Roth në gazetën gjermane Handelsblatt.
Nëse BE lejon vakum në Ballkanin Perëndimor, atëherë tjera fuqi që nuk ndajnë vlera demokratike me BE’në, do të hyjnë të zënë këtë vakum” tërhoqi vërejtjen Roth.
Ministri gjerman shtoi se shpreson se gjatë kryesimit të Portugalisë duhet të ketë përparim. ”Na duhet të shtyjmë përpara. Pasi paqja, pajtimi regjional dhe demokracia në Ballkanin Perëndimor janë të rëndësisë strategjike për gjithë Europën, posaçërisht për fqinjët e afërt.”
“Po i qëllojmë vetes në këmbë” tha Roth. Ai shtoi se ngurrimi i BE’së po interpretohet si dobësi në një botë autoritarizmi po forcohet, e demokracia po përballet me presion më të madh.