Deputetja e Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë̈ e Kosovës (AAK), njëherit Kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj, ka treguar se sot është mbajtur një mbledhje para votimit të buxhetit.
Ajo bëri të ditur se në këtë mbledhje u diskutua për përkrahjen e specializantëve, specialistëve dhe infermierëve, të cilët ishin të privuar nga e drejta për paga.
“Para votimit të Buxhetit të shtetit sot mbajtëm mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Në Komision mbështetëm dhe aprovuam amendamentet që kanë të bëjnë me përkrahjen e specializantëve, specialistëve dhe infermierëve, të cilët ishin të privuar nga e drejta për paga”, ka shkruar Reshitaj.
“Gjithashtu përkrahëm kategorinë e invalidëve të luftës dhe invalidëve civilë për riparimin dhe rregullimin e protezave të nevojshme për ta”, shtoi ajo.
Po ashtu Reshitaj tha se shpreson që të gjithë deputetët ta përkrahin këtë amendament.
“Shpresoj që të gjithë deputetët e të gjitha Grupeve Parlamentare të reflektojnë sot dhe të përkrahin amendamentet e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale”, përfundoi ajo.