Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se projektbuxheti për vitin 2021 duhet më miratohet këtë muaj, dhe nuk duhet të hyhet në janar pa miratim e tij, raporton Front Online.
Madje, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të mos shpërndahet pa u votuar projekt-buxheti.
E, një gjë të tillë po ë r kërkojnë pothuajse edhe partitë politike në vend.
Por, qëndrim krejt tjetër kanë në Lëvizjen Vetëvendosje.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit edhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati në një prononcim për Front Online, ka thënë se është ilegale dhe antikushtetuese që një projektbuxhet i një qeverie në detyrë të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk komunikon me Qeveri në detyrë. Kjo gjë është parë në rastin e Ligjit Anti-Covid kur kryesia e Kuvendit nuk pranonte ta procedonte tutje projektligjin për shkak se kishim një qeveri në detyrë. Andaj është e pamundur që ky projekt-buxhet i një qeverie në detyrë, e për më tepër edhe ilegale e antikushtetuese, të hidhet në votim”, ka thënë Murati për Front Online.
Ndërsa, i pyetur se a do ta votojë Vetëvendosja nëse një projekt-buxhet i tillë sillet në Kuvend për miratim, Murati ka deklaruar se duhet të votohet qeveria e re në mënyrë që kjo e fundit të mund ta dorëzojë buxhetin e ri në kohë.
“Kështu që është e domosdoshme që data e zgjedhjeve të caktohet sa më herët që është e mundshme, me qëllim që një qeveri e re me legjitimitet të plotë të mund të dorëzojë buxhetin e ri në kohë”, ka deklaruar ai.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, gjatë ditës së djeshme e po ashtu edhe sot ka takuar kryetarët e partive politike për t’u dakorduar për datën e zgjedhjeve.
Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme pasi Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh./FrontOnline/