Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, thotë se nuk ka parë prova kundër Thaçit e të tjerëve
Ishte dëshmitar i asaj që ndodhi në Reçak në janar të 1999-tës.
Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, atëbotë i tregoi botës për krimet që serbët i kryen në Kosovë.
E 21 vjet më pas, në Hagë të Holandes nuk po gjykohen kriminelët serbë që i kryen krimet në Recka e në shumë vende të tjera të Kosovës.
Por, ata që po dalin para drejtësisë tani janë ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për këtë arsye, Walker ka kritika ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar rreth asaj së kë ka akuzuar e kë jo.
“Unë kam qenë kritik ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar për disa kohë. Unë thashë që kishte një luftë të përgjakshme dhe një politikë gjenocidi në periudhën 1998-1999. Shumë njerëz nga Beogradi dhe qeveria e Sllobodan Millosheviçit bënë disa gjëra të tmerrshme këtu në Kosovë. Shumë njerëz u trajtuan brutalisht nga qeveria e Beogradit dhe shumë njerëz në atë qeveri janë përgjegjës për ato akte. Unë shpesh përmend se Presidenti i Serbisë, z. Vuçiq, ishte anëtar i qeverisë së Sllobodan Millosheviçit dhe jam i sigurt se ai ishte në dijeni të asaj që po ndodhte në Kosovë”, tha ai.
Ish- diplomati amerikan i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të krijojë një gjykatë e cila heton gjeneralët dhe ministrat e qeverisë së Sllobodan Millosheviqit.