Policia e Kosovës, inspektorë të policisë dhe oficerë të doganës, të asistuar nga ATK-ja dhe AVUK-u, dy muaj më parë kanë realizuar një aksion në disa qytete të Kosovës lidhur me veprën penale “kontrabandë”, ku janë arrestuar disa persona.
Aksioni i 1 tetorit, ku është arrestuar edhe pronari i kompanisë për përpunimin e mishit “BUQUKU”, Jeton Buquku, ishte vazhdimësi e aksionit në Karaçevë të Kamenicës.
Lidhur me këtë për Front Online, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, kanë thënë se rreth 50 persona përfshirë, pronarin e kompanisë për përpunimin e mishit “BUQUKU”, Jeton Buquku dhe disa pronarë të tjerë të mishtorëve në Kosovë, kanë pranuar fajësinë për veprën panele “kontrabandë”.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, ka intervistuar shumicën e personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast, me ç’rast me mbi 50 persona të cilët kanë bashkëpunuar është arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, përfshirë edhe pronarin e kompanisë “Buquku’’ dhe pronarë të tjerë të mishtoreve”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për Front Online.
Nga kjo prokurori kanë bërë të ditur se , për rastin ‘’Karaçeva’’, hetimet janë ende duke vazhduar në bashkëpunim me policinë e Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, për rastin ‘’Karaçeva’’, ende janë duke ndërmarrë veprime hetimore”, thuhet në përgjigjen për Front Online.
Aksioni në Karaçevë të Kamenicës ka qenë një ndër aksionet më të mëdha të organeve të drejtësisë.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj këtyre personave të përfshirë në veprën “kontrabandim”.
“Lidhur me ngritjen e aktakuzës për çështjen në fjalë do të jeni të informuar me kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Front Online.