×
  • Lajme
  • Lajme

    Çitaku i kthehet detyrës së saj në Uashington, ngec procesi i emërimeve

    FrontOnline
    17 Dhjetor 2020

    Vlora Çitaku është kthyer sërish në Uashington në detyrën e saj si ambasadore e Kosovës në SHBA, pavarësisht se para më shumë se dy muajsh, presidenti Hashim Thaҫi kishte nënshkruar dekretin për tërheqjen e saj nga ky post.

    Madje, ajo kishte organizuar edhe takime lamtumirëse në Uashington dhe ishte kthyer në Prishtinë, por është detyruar të kthehet sërish në Uashington, pasi partnerët e koalicionit qeveritar nuk kanë vendosur ende se kush do ta zëvendësojë.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës konfirmoi për REL se në Uashington është ende në detyrë ambasadorja Çitaku, e cila do ta përfaqësojë Kosovën deri në emërimin e ambasadorit të ri, siç është përcaktuar në dekretin e tërheqjes së saj të nënshkruar nga presidenti.

    Bazuar në dekretin e presidentit, ajo mbetet në këtë detyrë derisa të emërohet ambasadori i ri, por në rast se e njëjta nuk mund ta ushtrojë më këtë post, atëherë duhet të emërohet një ‘i ngarkuar me punë’ (Charge D’Affairs). Sipas të dhënave zyrtare, në Ambasadën e Kosovës në Uashington është vetëm një diplomat.

    Pos Uashingtonit, edhe Brukseli, Londra e Tokio kanë mbetur qe shumë kohë me ushtrues detyre pasi Kosova nuk i ka emëruar ende ambasadorët e rinj pas skadimit të mandatit të diplomatëve të kaluar.

    Në Ministrinë e Jashtme thonë se “janë në përfundim të konsultimeve për përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj” dhe se i gjithë procesi po zhvillohet konform procedurave të parapara ligjore.

    “Ministrja znj. Meliza Haradinaj-Stublla garanton një proces të drejtë, transparent, në respektim të plotë të procedurave ligjore dhe kushtetuese. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, secili vendim i saj do të merret në konsultim të plotë me kryeministrin e vendit, ashtu siç e parasheh ligji dhe Kushtetuta”, tha këshilltari politik i ministres së Jashtme, Bul Salihu.

    Sidoqoftë, Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga zyrtarë qeveritarë, se procesi ka ngecur dhe se vështirë që mund të ketë “emërime gjatë këtij viti”.

    “Papërgjegjësia e qeverive”

    Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Gashi, vlerëson se shteti duhet të jetë më serioz në trajtimin sa më dinjitoz të shteteve mike.

    “Kjo është papërgjegjësia më e madhe e Qeverisë së Kosovës, pavarësisht e cilës qeveri, që vende të tilla si Londra, Brukseli të mbahen me të ngarkuar me punë për një kohë të gjatë”, vlerëson Gashi.

    Ai, madje, thotë se këto veprime po sjellin pasoja, duke iu referuar rastit të Japonisë.

    “Ne e kemi mbajtur Japoninë, një mike të Kosovës, për më shumë se një vit me të ngarkuar me punë. Pikërisht kjo neglizhencë, apo nënçmimi ka ndikuar që Japonia të abstenojë në kërkesën e Kosovës për anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare. Ky është rezultat i dështimit të qeverisë sonë që të mbajë marrëdhënie të mira”, vlerëson profesor Gashi.

    “Të evitohet degradimi i diplomacisë”

    Ambasadori i parë i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, thotë se në këtë fazë të ndërrimit të administratës amerikane, do të ishte e nevojshme që ky proces të ishte përmbyllur.

    “Bëhet fjalë për pozitën kyçe në diplomacinë e Kosovës dhe është nevojë urgjente që të kemi ambasadorin tonë në Uashington, ku do të kemi një administratë re, pasi ambasadori duhet të vërë kontakt dhe të fillojë punën me këtë administratë që po vjen, si në aspektin biltateral, por edhe për punën e diplomatit në kuptim më të gjerë”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.

    Ai thekson nevojën që ambasadori i ri në SHBA të jetë apolitik.

    “Të qenët partiak kufizon veprimtarinë e një ambasadori, sepse rezervohet gjithmonë më shumë për liderin e partisë së tij së cilës i përket sesa Ministrinë e Jashtme. Kështu që, mendoj se është e rëndësishme që të jetë jopartiak dhe të jetë i përgatitur profesionalisht”, shton Spahiu.

    Profesori Ibrahim Gashi druan se brishtësia e koalicionit qeverisës do të prodhojë përfaqësim dinjitoz për Kosovën.

    “Nuk jam shumë optimist duke parë ngecjet e kohëve të fundit në Ministrinë e Jashtme, që ndoshta është si pasojë e disonancës ndërmjet koalicionit qeveritar. Jam skeptik dhe frikësohem se edhe në rastin konkret, të emërimit të një ambasadori të duhur në Uashington, uroj të mos ndodh, por mund të ketë emërime jo të qëlluara dhe në njëfarë mënyre degradim të nivelit të përfaqësimit, sa i përket profilit të diplomatit që mund të shkojë atje”, vlerëson Gashi.

    “Duhet të vazhdojë tradita e përfaqësimit të mirë në Uashington dhe të mendohet përtej interesave partiake”, tha ai.

    Por, në MPJD insistojnë se Kosova ka përfaqësim adekuat.

    “Aktualisht, nuk ka asnjë boshllëk në përfaqësimin e Kosovës në këto shtete. Në Uashington, Bruksel, Londër dhe vendet tjera janë diplomatët tanë, po ashtu, të ngarkuarit me punë, edhe disa me gradë karriere prej Ambasadori, të cilët po kryejnë të gjitha detyrat e parapara”.

    Në tetor të këtij viti, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, kishte raportuar në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme, ku pati premtuar se do të ketë vendime së shpejti për emërimin e ambasadorëve të rinj.

    Një nga emërimet që pati shkaktuar bujë ishte edhe ai i Astrit Zemajt, vëllait të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, në ushtrimin e funksionit të ambasadorit në Bruksel, pas skadimit të mandatit të Bernard Nikajt. Zemaj kishte titull ambasador, dhe ishte emëruar në këtë pozitë për vendet anëtare, edhe pse Kosova ligjërisht nuk mund të akreditojë ambasador në BE, për shkak të mosnjohjes nga pesë vende anëtare të Unionit.

    Emërimi i diplomatëve

    Procedurat ligjore për emërimin e ambasadorëve të rinj marrin kohë. Pas propozimit të Ministrisë së Jashtme, që bëhet në koordinim me kryeministrin, emrat për ambasadorë dërgohen në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Ky komision pastaj i dërgon emrat në Presidencë, ku pason dekretimi nga ana e presidentit të Republikës. Por, procedura nuk përfundon me kaq. Shteti pranues duhet të japë pëlqimin për ambasadorin e ri, procedurë kjo që mund të marrë disa muaj kohë.

    Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka hapur misione diplomatike në të gjitha kontinentet.

    Sidoqoftë, Ministria e Jashtme ka qenë shpesh cak i kritikave të shumta, pas raportimeve për emërime në poste diplomatike të familjarëve të personave të angazhuar në politikë.

    Ambasadorja e parë e Izraelit në Kosovë, e impresionuar me punën në Comodita
    Nga Rubrika
    Lajme07 Shtator 2024
    Kompania e kontraktuar për shtrimin e autostradës Prishtinë-Mitrovicë përgjatë punimeve ka dëmtuar një gyp. Lajmin e ka bërë të ditur ‘KRU Mitrovica’...
    Lajme07 Shtator 2024
    Udhëzimi Administrativ për vërejtjet e kombinuara në pakot e duhanit ka hyrë në fuqi që nga një shtatori. Tanimë, në territorin e...
    Lajme07 Shtator 2024
    Në ceremoninë e vendosjes së shtatores së presidentit historik, Ibrahim Rugova në Podujevë mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. Një video e...
    Të tjera
    Bota/Rajoni07 Shtator 2024
    Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, është nisur për një vizitë zyrtare në Kinë të shtunën. Ministria e Punëve...
    Lajme07 Shtator 2024
    Brenda më pak se 10 ditësh, përfaqësuesi i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin vizitoi dy herë Kosovën. Herën e dytë foli...
    Lajme07 Shtator 2024
    Djali i komandantit legjendar, Adem Jashari, Lulzimi është shtruar në Klinikën e Kardiologjisë. Lajmin e ka ndarë përmes një postimi në Facebook...
    Sport07 Shtator 2024
    Pjesa e parë e ndeshjes ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë, e cila po zhvillohet në Pragë, përfundoi pa gola. Shqipëria pati disa raste...
    Lajme07 Shtator 2024
    Tre pushues humbën jetën në plazh këtë të shtunë, dy prej tyre janë kosovarë. Rreth orës 14;50, në lagjen 13 në Durrës,...
    Lajme07 Shtator 2024
    Veprimet e vazhdueshme të Serbisë në raport me Kosovën, sikurse edhe akti i fundit duke bllokuar rrugët në vendkalimet kufitare nuk kanë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.