×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti kërkon të dënohet gjenocidi i kryer në Kosovë: Nuk mund t’u zihet besë atyre që qëndrojnë mbi varret masive teksa i mohojnë ato

    FrontOnline
    09 Dhjetor 2020

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se përkujtimi dhe dinjiteti i viktimave të krimit të gjenocidit shkon përtej përvjetorëve.

    Kurti ka pohuar se “Sot është dita e dhimbjes së mbarë njerëzimit, prandaj sot ne i kujtojmë me respekt viktimat anembanë botës, dhe i dënojmë me gjithë vendosmërinë e zemrës politikat gjenocidale”.

    Lideri i LVV-së u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin në qeverinë serbe për të hequr dorë nga politikat agresore ndaj Kosovës, e për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë e ushtarakë për këtë gjenocid.

    “Ne luftuam kundër gjenocidit, bota na ndihmoi në emër të humanitetit, dhe sot jemi këtu. Nuk di për ndonjë popull tjetër në histori, që ka qenë kaq i gatshëm për falje e pajtim, siç jemi treguar ne shqiptarët. Sepse e duam paqen, jo konfliktet. Por, askush ende nuk po kërkon falje. Askush nuk po e merr përsipër fajin. E nuk mund ta falësh atë që, edhe tash pas 21 vitesh ende vazhdon të këmbëngulë se “Kosova është Serbi”, pra që shqiptarët nuk e kanë vendin në Kosovë”, ka shkruar Kurti në reagimin e bërë në Facebook.

    Për më shumë, postimi i plotë:

    “Fjala “gjenocid” u përdor për herë të parë nga avokati polak Rafał Lemkin në vitin 1944. Termi përbëhet nga parashtesa greke genos, që do të thotë racë ose fis, dhe prapashtesa latine cide, që do të thotë vrasje. Lemkin e zhvilloi termin pjesërisht si kundër-përgjigje ndaj politikave naziste të vrasjes sistematike të hebrenjve gjatë Holokaustit, por edhe si kundër-përgjigje të rasteve të mëparshme në histori të veprimeve që synonin shkatërrimin e grupeve të veçanta të njerëzve.

    Pas vetëm 4 viteve, më 1948, u miratua nga Asambleja e Përgjithshme traktati i parë për të drejtat e njeriut, i emërtuar si Konventa mbi Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Pikërisht me datën 9 dhjetor shënohet 72 vjetori i kësaj konvente, si dhe dita ndërkombëtare e përkujtimit dhe dinjitetit të viktimave të krimit të gjenocidit dhe parandalimit të tij.

    Kjo konventë ofroi përkufizimin e parë ligjor të termit “gjenocid”, si dhe detyrën sublime për shtetet nënshkruese për të parandaluar dhe ndëshkuar krimin e gjenocidit.

    Edhe pse bashkësia ndërkombëtare u bashkua për të thënë KURRË MË përmes kësaj konvente, më pak se 50 vite pas, bota u bë dëshmitare e gjenocidit të kryer në Bosnje, e më pas atij të kryer në Kosovë.

    Përkujtimi dhe dinjiteti i viktimave të krimit të gjenocidit shkon përtej përvjetorëve. Ai fillon me njohjen dhe pranimin e asaj që ka ndodhur. Me marrjen e masave për të adresuar të shkuarën.
    Gjatë qeverisjes tonë në pranverën 2020, ne patëm nisur diskutimin e brendshëm për procesin e padisë së Serbisë në GjND për gjenocid, por puna na u ndërpre. Me rikthimin tonë do ta vazhdojmë dhe do ta dërgojmë deri në fund atë që kemi nisur.

    Sepse gjenocidi është më tepër se një term. Më tepër se krim që duhet kujtuar me 9 dhjetor.

    Gjenocidi përtej definicionit ligjor, është përpjekje për të zhdukur pjesë të historisë. Pjesë të së njerëzishmes e botë të tëra të ndërtuara ndër breza. Kur flasim sot për dialog, nuk duhet të harrojmë se qëndrojmë mbi një tokë të ujitur me gjakun e të pafajshmëve.

    Sot është dita e dhimbjes së mbarë njerëzimit, prandaj sot ne i kujtojmë me respekt viktimat anembanë botës, dhe i dënojmë me gjithë vendosmërinë e zemrës politikat gjenocidale. Aq më shumë që ne, si shqiptarë e përjetuam mbi shpinë gjenocidin përmes vrasjeve masive, përdhunimit sistematik, largimit të dhunshëm prej vendit dhe shkatërrimit të shtëpive e pronave. Ata që thoshin e thonë “Kosova është Serbi” kishin problem me faktin se Kosova tash e kaherë, ka patur shumicë shqiptare. Mes ëndrrës së tyre për serbianizimin e Kosovës dhe realitetit material e demografik, shqiptarët qëndronin si pengesë – andaj e bënë gjenocidin, si zgjidhje finale.

    Ne luftuam kundër gjenocidit, bota na ndihmoi në emër të humanitetit, dhe sot jemi këtu. Nuk di për ndonjë popull tjetër në histori, që ka qenë kaq i gatshëm për falje e pajtim, siç jemi treguar ne shqiptarët. Sepse e duam paqen, jo konfliktet. Por, askush ende nuk po kërkon falje. Askush nuk po e merr përsipër fajin. E nuk mund ta falësh atë që, edhe tash pas 21 vitesh ende vazhdon të këmbëngulë se “Kosova është Serbi”, pra që shqiptarët nuk e kanë vendin në Kosovë.

    Në respekt të viktimave të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, duhet të pohojmë gjithnjë e vendosmërisht se Kosova është e pavarur, me shumicën e saj shqiptare e me minoritetet e tjera, pa hasmëri e hakmarrje mes njëri-tjetrit, por vetëm me synimin e përbashkët për bashkëpunim, për demokraci, për zhvillim.

    Sot e gjithnjë i bëj thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin në qeverinë serbe për të hequr dorë nga politikat agresore ndaj Kosovës, e për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë e ushtarakë për këtë gjenocid. Ky do të ishte themeli i vërtetë për një Ballkan Evropian, të qëndrueshëm, të sigurt e paqësor. Nuk mund t’u zihet besë atyre që qëndrojnë mbi varret masive teksa i mohojnë ato”./Telegrafi/

    Shkëlqim Devolli takon guvernatorin e Texasit, Greg Abbott, flasin për rritje bashkëpunimi Kosovë – ShBA
    Nga Rubrika
    Lajme01 Tetor 2024
    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur i shqetësuar për sulmin e sotëm me raketa nga Irani ndaj Izraelit, në të cilin...
    Lajme01 Tetor 2024
    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Qeverinë për pengesat që, sipas tij, po krijohen në projektet kryesore të kryeqytetit, duke përfshirë...
    Lajme01 Tetor 2024
    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se sipas parashikimeve, nga fundjava, sidomos me datë 04 dhe 05 tetor 2024, rajoni dhe jo vetëm...
    Të tjera
    Lajme01 Tetor 2024
    Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, vlerëson se nëse shteti do ta bënte pushimin e lehonisë dy vjet, ky do të ishte kontribut...
    Bota/Rajoni01 Tetor 2024
    Ambasadorja e Shtetit të Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, ka reaguar pas sulmeve të raportuara nga Teherani në Tel Aviv. Ziv tha...
    Lajme01 Tetor 2024
    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se kryeqyteti ka pasur nevojë për një “Fshat Olimpik” edhe pa organizimin e Lojërave Mesdhetare,...
    Lajme01 Tetor 2024
    Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica ka folur për koalicionin “Lista për Familje”, duke thënë se është formuar për të ruajtur bërthamën tradicionale...
    Lajme01 Tetor 2024
    Lideri i LDK’së, Lumir Abdixhiku ka qëndruar sot në Gjakovëm ku ka pasur dy takime me qytetarë, për të cilët njofton se...
    Lajme01 Tetor 2024
    Në margjina të Forumit të Varshavës për Siguri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kongresistin amerikan, Jason Crow. Zyra e...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.