I ati i Fatmir Shehollit ishte vrarë në Kosovë në vitin 1997, por ai është ftuar për të dëshmuar në Gjykatën Speciale pavarësisht se legjislacioni e Speciales parasheh qe të trajtoj vetëm vrasjet e ndodhura nga viti 1998 deri në vitin 2000.
Sheholli ka thënë se në Speciale i kanë thënë se “zinxhiri i komunikatave të UÇK-së e imponon edhe hetimin e vrasjes së babait të tij”.
Ai thotë se një avokat i mirë do t’ia rrëzoj tezat Gjykatës Speciale për shkak të hetimit të rasteve që nuk janë në mandat të saj.
“Babai im dhe disa persona tjerë përmenden ne Komunikatën nr.28. Me 13 shtator të po atij viti, 1997, del një shkrim tjetër ku thuhet se babai im është vrarë në rrethana të pa sqaruara”, tha ai në Rtv Dukagjini.
Sheholli thotë se UÇK nuk ka pasur gisht në vrasjen e babait të tij, por sipas tij disa komunikata të lëshuara janë çështje që do të hulumtohen.
“Është konkluzë familjare dhe konkluzë e imja: UÇK-ja nuk ka gisht në vrasjen e babait tim. Kush e ka shkruar komunikatën në atë formë të rrejshme e që është totalisht jo e vërtet në tri komponentat që përmenden për vrasjen e tij, ajo është çështje që do të hulumtohet”, tha ndër të tjera Fatmir Sheholli.