Që nga shkurti i këtij viti, prej kur nisi shuarja e ministrive dhe shkrirja e tyre nëpër ministri të tjera, rreth 500 shërbyes civilë kanë mbetur pa u risistemuar nëpër vende të punës. 7 muaj më pas, Qeveria aktuale ende nuk ka nxjerrë akt nënligjor se si dhe ku do të duhej të risistemoheshin këta zyrtarë publikë.
Zyrtarët publikë që nuk janë transferuar në pozita ekuivalente nëpër ministritë e tjera qëndrojnë pa punë, por në të njëjtën kohë paguhen nga shteti me rreth 70% të pagës bazë dhe kjo do të vazhdojë për një vit rresht derisa ata të ricaktohen në pozitat e reja, raporton KOHA.
Në të kundërtën, atyre do t’u ofrohet të kalojnë në kategori më të ulëta, por çdoherë me pëlqimin e tyre. Duke marrë parasysh pagën mesatare të shërbyesve civilë për 7 muaj sa janë paguar pa punuar, ata i kanë kushtuar rreth 1 milion euro buxhetit të shtetit.
Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymeri, ka thënë për KOHËN se nga të dyja Qeveritë, si ajo e Kurtit edhe e Hotit, është thënë se do të krijohet lista për bartjen e zyrtarëve publikë nëpër ministritë e tjera, por kjo nuk ka ndodhur. Sipas tij, situata me pandeminë e ka lënë këtë çështje pas dore dhe zgjidhja e saj nuk është prioritet i Qeverisë aktuale.
“Kjo tani do të duhej të ishte edhe çështje e ministrave të ministrive përkatëse, por as këtu nuk kemi ndonjë lëvizje dhe nuk kemi një shifër të saktë se sa punëtorë janë të rrezikuar, sa prej tyre janë bartuar, sa prej tyre janë caktuar në detyra të punës me orar të plotë dhe kështu vazhdon të mbesë kjo situatë e pazgjidhur”, ka thënë Zymeri.
Deri më tani, për shkak të rikonstrukturimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, 301 nëpunës civilë janë sistemuar në pozita ekuivalente nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, 154 nga MZHE-ja dhe 30 nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
“Në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit janë nëpunësit e të tri Ministrive:
Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik – 154
Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë – 30
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor 301
Të gjithë nëpunësit aktualë janë të sistemuar në vendet e tyre të punës sipas aktit të emërimit/kontratave të punës të cilat i kanë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.
Në Ministrinë e Drejtësisë është transferuar Strehimorja shtetërore për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të trafikimit me qenie njerëzore nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me gjithsej 11 nëpunës civilë.
“Ju njoftojmë se me miratimin e Ligjit Nr. 07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës se Kosovës për vitin 2020, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është transferuar Strehimorja shtetërore për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të trafikimit me qenie njerëzore nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS). Në strehimore janë të punësuar gjithsej 11 nëpunës civilë dhe janë të sistemuar në vendet e punës sipas aktemërimeve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Ndërsa 10 zyrtarë publikë nga ish-Ministria e Diasporës kanë kaluar në kuadër të Ministrisë së Tregtisë.
“Në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) është fuzionuar Departamenti për Investime Strategjike nga ish-Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike së bashku me personelin, që janë 10 zyrtarë publikë, të cilët tashmë janë në listë të pagave të MTI-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Tregtisë.
E në Ministrinë e Punës nuk është transferuar deri më tash asnjë zyrtar publik.
“Ne si MPMS nuk kemi pranuar, deri tash, asnjë shërbyes civil që ka qenë i punësuar në ministritë që tashmë u janë bashkuar ministrive ekzistuese”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.