Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë njofton se ka kryer me sukses një operacion të ndërlikuar te një pacient i infektuar me COVID-19 që ishte në rrezik të humbte gjymtyrën.
Ndërlikimi atij i erdhi si pasojë e koronavirusit, por që spitali tha se falë ndërhyrjes së suksesshme u shmang humbja e gjymtyrës nga gangrena.
“Falë bashkëpunimit të Shërbimit Infektiv dhe Shërbimit të Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në datë 19 Shtator 2020 u realizua me sukses operacioni i Trombektomisë në arterien kryesore të gjymtyrës së poshtme të djathtë”, njofton QSUNT.
“Pavarësisht situatës së pazakontë dhe vështirësive të mëdha, stafi mjekësor i QSUNT- së vazhdon punën me përkushtim e profesionalizëm në shërbim të pacientëve”.