Sistemi arsimor i Shqipërisë përllogarit 17.1 nxënës për mësues në arsimin publik, me ngarkesë nga më të lartat në Europë, por disa vende të zhvilluara të kontinentit e kanë edhe më të lartë ngarkesën për stafet arsimore.
Sipas të dhënave të Eurostat që i takojnë vitit 2018 mesatarja e nxënësve për mësues ishte 13.6 në vendet e BE-së. Ngarkesën më të lartë të trupës arsimore e ka Rumania me 19.5 nxënës për mësues, më pas vjen Çekia me Franca me 19.2.
Në anën tjetër ngarkesa më e ulët mësimore për mësues paraqitet në Luksemburg me 9.0 nxënës për mësues mesatarisht, Greqia me 9.2 dhe Polonia me 9.6 nxënës për mësues.
Ky tregues ka ardhur duke u përmirësuar në Shqipëri vitet e fundit për shkak të uljes së numrit të nxënësve në shkolla. Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2015 një mësues jepte mësim për mesatarisht 18,3 nxënës, ndërsa në vitin 2018 ku tregues zbriti në 17,4 nxënës dhe në vitin 2019 një mësues për 17.1 nxënës. Në vitet në vijim treguesi pritet të ketë më shumë rënie, por nga të dhënat kombëtare ka një shpërndarje jo të drejtë të ngarkesës mësimore. Në zonat rurale dhe në bashki të vogla numri i nxënësve për mësues është më i ulët se në qytete e mëdha dhe sidomos në Tiranë ku ky raport është më shumë se 20 nxënës për mësues.
Sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 30% që nga viti 1990 deri me 2018, si në numrin e nxënësve, mësuesve dhe shkollave. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, numri i nxënësve që ndjekin arsimin e 9-vjeçar dhe të mesëm ra në 430 mijë e 700 nxënës në vitin 2018 nga 680 mijë e 600 nxënës që ishin në vitin 1991, ose 35% nxënës më pak. Rënia më e madhe ishte në arsimin 9-vjeçar, ku me 2018t janë ulur në bankat e shkollës 260 mijë nxënës më pak nxënës se në vitin 1991.
Rënia e numrit të nxënësve është shoqëruar edhe me reduktim të trupës arsimore. Në vitin 1991, numëroheshin 43700 mësues në të gjithë vendin, ndërsa në 2018i, numri i tyre ishte 29000, me tkurrje 33% që nga viti i parë i tranzicionit. Gjithashtu numri i shkollave u ul me 35% që nga viti 1991. Shqipëria hyri në periudhën e tranzicionit me 2200 shkolla të arsimit 8-vjeçar dhe të mesëm, ndërsa me 2018 kishte 1134 shkolla. Afërisht, 150 shkolla u mbyllën vetëm këtë vit, për shkak se numri i nxënësve po bie në mënyrë të frikshme në disa qarqe të vendit.
Numri i klasave është reduktuar më tej. Nga 37 mijë klasa që ishin në fillim të viteve 1990, aktualisht janë rreth 11 mijë klasa. Numri i tyre është reduktuar me 70% përgjatë 28 viteve.
Sipas INSTAT, ulja e numrit të nxënësve ka sjellë dhe një rënie të raportit nxënës për mësues, në 17.8 në vitin akademik 2017/2018, nga 19.1 në vitin akademik 2013/2017, për ciklin 9-vjeçar.
Ministria e Arsimit të Shqipërisë pohoi se, prej vitit 2009 migrimi i brendshëm i popullatës nga fshatrat dhe qytetet e vogla drejt qendrave më të mëdha urbane, emigracioni dhe rënia e numrit të lindjes kanë bërë që shkollat në zona urbane të kenë më shumë nxënës se sa në ato rurale./ Revista Monitor