Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha të mërkurën se është skeptik për Rusinë si vendi i parë në botë që miratoi një vaksinë kundër koronavirusit, duke thënë se është jetike që të sigurohet një produkt i sigurt dhe i testuar para se thjesht të bëhesh i pari që e zbulon vaksinën.
“Nuk ka të bëjë vetëm me të qenët i pari disi – ka të bëjë me pasjen e një vaksine efektive, të testuar dhe të sigurt”, tha Spahn për Radion Deutschlandfunk.
“Për të pasur besim në një vaksinë të tillë, unë mendoj se është shumë, shumë e rëndësishme, edhe gjatë pandemisë, që të bëhen studime në mënyrën e duhur, teste relevante dhe veçanërisht që ato të bëhen publike. Problemi është se ne dimë shumë pak për të, sepse autoritetet ruse nuk po tregohen shumë transparente”, shtoi ministri gjerman.
Vaksina ruse, e cila do të quhet “Sputnik V” në nderim të satelitit të parë botëror, të lëshuar nga ish-Bashkimi Sovjetik, ende nuk i ka kaluar të gjitha testimet përfundimtare.
Miratimi i saj nga rregullatori erdhi më pak se dy muaj pas kryerjes së testimit në njerëz, shkruan The Guardian.
Se është më e rëndësishme të sigurohet një vaksinë efektive dhe e sigurt tha një ditë më parë edhe sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore në Shtetet e Bashkuara, Alex Azer.