×
  • Lajme
  • Lajme

    Arsim Mehmeti, kuzhinieri me mbi 30 vite përvojë pune

    FrontOnline
    08 Korrik 2020

    Karrierën e tij si kuzhinier e filloi në vitet e 90-ta. Pasi mori diplomën për ushtrimin e profesionit të kuzhinierit, gjithmonë kishte dëshirë hapjen e një restoranti. Kësisoj, pasionin e tij si kuzhinier e vazhdoi duke e hapur një restorant personal. Është ky Arsim Mehmeti, njëri ndër kuzhinierët me më së shumti përvojë në Kosovë.

    Në një intervistë për AkademiPune, kuzhinieri Mehmeti foli për përparësitë, sfidat e gjithçka tjetër që shoqërohet me profesionin si kuzhinier.

    “Si i ri fillova ta mendoj hapjen e një restoranti. Rregullat asokohe ishin më ndryshe, pasi që duhej diplomë për profesionin e kuzhinierit, për të pasur të drejtë hapjen e një restoranti apo kafiterie. Unë veçse e kisha një diplomë të tillë që e kisha marrë në vitin 90 për kamerier dhe kuzhinier”, rrëfen fillimisht Mehmeti.

    Duke qenë se profesionin e tij nisi ta ushtronte në një kohë kur teknologjia dhe rrjetet sociale nuk ishin në nivelin që janë sot, Mehmeti tregon se sigurohej t’i përcillte vazhdimisht trendet e fundit përmes kontakteve me kuzhinierë të njohur dhe përmes librave të ndryshëm rreth kulinarisë. Kjo ka bërë që Mehmeti sot të ketë një bibliotekë të pasur me libra rreth kuzhinës.

    Karrierën e tij si kuzhinier e ka zhvilluar edhe jashtë Kosovës, gjegjësisht në SHBA. Ai rrëfen se si ka ndikuar përvoja e tij 2-vjeçare në SHBA gjatë viteve 97-99, si për dhe mësimet që mori nga një profesionist i kulinarisë.

    “Këtë zanat e kam zhvilluar në SHBA gjatë viteve 97-99 ku kam fituar një përvojë jashtëzakonisht të veçantë, përvojë kjo që më inkurajoi të vazhdoj tutje me këtë profesion. Ndërsa në vitin 2001, në restorantin tim kam pasur një profesionist të kulinarisë nga Holanda ku kemi punuar së bashku për disa javë dhe kemi shkëmbyer përvojat tona rreth kuzhinës. Ai me përvojën e tij më ka njoftuar me finesat e para rreth kuzhinës”

    Përparësitë dhe mangësitë e profesionit të kuzhinierit

    Përparësi dhe mangësi vijnë me secilin profesion. Sipas Mehmetit, njëra ndër mangësitë e të qenurit kuzhinier është se profesioni di të shkaktojë nervozizëm dhe shumë shefa kuzhine kanë sfidat e tyre. Kjo sepse të shumtën e kohës janë në stres dhe janë duke menduar rreth ushqimit. “Madje unë personalisht kur bie në gjumë, po ashtu edhe kur zgjohem, jam i ngarkuar me mendime për ushqimin, se si do të kalojë dita e nesërme në punë dhe se a do të ndahen të kënaqur klientët që do ta vizitojnë restorantin tim”

    E sa i përket përparësive, ai përmend kënaqësinë që kuzhinierët marrin kur ushqimet gatuhen ashtu siç janë planifikuar në mënyrë që klientët të ndahen të kënaqur.

    Restoranti i tij A&A njihet edhe si njëri ndër restorantet më të vjetër në Prishtinë. Por për të ardhur deri tek kjo arritje, Mehmeti theksoi se nuk munguan peripecitë dhe sakrificat. Pasioni i tij i madh për kuzhinën e motivoi ta realizonte qëllimin e tij dhe të hapte këtë restorant i cili ekziston dhe njihet shumë edhe sot.

    “Së pari kam filluar me përgatitjen e picave, pastaj këtë vend e kam transformuar në restorant tradicional, më tutje në atë italian, varësisht nga kërkesa kam shtuar edhe ushqime të kulturave të ndryshme ngase restoranti frekuentohej edhe nga persona të huaj. Mund ta them pa modesti se këtë biznes e kam krijuar me mund dhe me shumë sakrifica dhe ekzistimi i këtij biznesi qe një kohë të gjatë tregon vetë për suksesin e tij. Me 12 janar, ky restorant i mbush plot 30 vite prej se është hapur”.

    Arsim Mehmeti është i njohur edhe si fytyrë publike pasi për afër 5 vite me radhë ishte protagonist i emisionit “Çka ka me honger?”. Nëpërmjet këtij emisioni, Mehmeti përmes recetave të tij kontribuoi në inspirimin e kuzhinierëve të rinj dhe njerëzve që kanë pasion gatimin.

    “Nëse e kalkulojmë me muaj apo vite atëherë del të kem përgatitur afër 1000 receta të ndryshme, ndoshta edhe më shumë, e që nuk është një numër i vogël i recetave. Nga këto receta kanë përfituar shumë persona po ashtu edhe restaurante. Shumë klientë dhe miq vazhdimisht më njoftojnë se recetat e mia po përgatiten në shumë restaurante tjera, gjë që më bën jashtëzakonisht të lumtur, pasi kjo tregon se ato receta po pëlqehen nga njerëzit”

    A ia vlen të bëhesh kuzhinier në Kosovë?

    Restorantet në Kosovë nuk janë pak, por sa janë cilësore? Në lidhje me këtë, Mehmetit tha se problemi qëndron tek cilësia e tyre dhe trajnimi i stafit. Ai shtoi se në shumë restauronte nuk kërkohet cilësi por sasi dhe kjo çon në mungesën e informimit nëse ajo që konsumohet është e mirë ose jo.

    Për të, kjo ka qenë karriera që ka dashur gjithmonë. Ky profesion thotë se e plotëson pamasë. “Mua personalisht më ushqen ky zanat, pasi që me jep forcë, energji, kurajo. Me pak fjalë e dua këtë zanat”

    Puna e tij i ka frymëzuar edhe shumë të rinj të hapin restorantet e veta. Shumë prej punëtorëve që kanë punuar në restorantin e tij dikur, kanë vazhduar ta ushtrojnë zanatin e kuzhinierit në Kosovë dhe në vendet e tjera perëndimore si Francë, Gjermani e të tjera. Momentalisht, A&A ka gjithsej 6 të punësuar.

    Krejt në fund, ai pati edhe një këshillë për të rinjtë që e kanë pasion kuzhinën dhe që synojnë të hapin restorantet e tyre në të ardhmen.

    “Duajeni këtë profesion, keni durim, si dhe punoni shumë për të korrur sukses. Nëse njëra nga këto mungon edhe suksesi është vështirë i arritshëm. Rinia sot mendon se brenda natës merret zanati dhe bëhen profesionistë por pa punë është pothuajse e pamundur, e sidomos në zanatin e kuzhinierit. Një kuzhinier i mirë ka guxim të eksperimentojë kur hyn në kuzhinë, ai nuk frikësohet nga gabimet pasi ato i sheh si një mundësi përmirësimi. Unë gjithmonë kam pasur dëshirë të provoj gjëra të reja. Kjo më ka ndihmuar që ta perfeksionoj këtë profesion”, përfundoi Mehmeti.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, thotë se është nevojshme që të ketë një format të ri të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Politikani serb nga Mitrovica e Veriut, Aleksandar Arsenijeviq, i ka larguar dekorimet nga sheshi i këtij qyteti. Ai përmes një videoje propagandoi...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Ministria e Punëve të Brendshme ka përditësuar të dhënat në lidhje me gjendjen në pikat kufitare. MPB ka bërë të ditur se pritjet...
    Të tjera
    Vip21 Dhjetor 2024
    Gili së bashku me djalin sonte nisin rrugëtimin e “BBVA”. Ata në këtë rrugëtim do të jenë si një banor i vetëm....
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka takuar strukturat e partisë në Llap, për çfarë ka thënë se takimi u...
    Hulumtime21 Dhjetor 2024
    Sonte zhvillohet super meçi mes Oleksandr Usyk dhe Tyson Fury, që është i dyti mes tyre brenda këtij viti. Ky duel pritet...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink. “Mirësevjen në Kosovë”, ka...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Egli Tako është banorja e parë që ka hyrë në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Ajo është 27 vjeçe dhe ka...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksident që ka ndodhur mbrëmjen e sotme të Dheu i Bardhë, në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.