
Në Ministrinë e Integrimeve Evropiane (MIE) s`pati nevojë për dorëzim-pranim të detyrës, tani me ardhjen e Qeverisë “Hoti” në pushtet.
Kjo për faktin se në ujdinë e arritur mes partnerëve të koalicionit qeverisës LDK-AAK-Nisma e komunitetet jo shumicë, u vendos që të shuhet ky dikaster.
E një vendim i tillë nuk do të paraqesë aspak problem në proceset integruese të Kosovës drejt Bashkimit Evropian, anipse kjo Ministri u formua para 10 vjetëve pikërisht për të çuar përpara agjendën evropiane.
Kështu po thotë njohësi i kësaj fushe, Demush Shasha, në një intervistë për Front Online.
“Parimisht shurja e Ministrisë nuk do të ketë ndikim në rrugën tonë integruese. Në gjithë rajonin e Ballkanit janë strukturat e ndryshme dhe format e ndryshme të organizimit institucional sa i përket procesit integrues”, tha ai.
Shpejtësia e rrugës integruese të Kosovës në këtë Union varet nga ecuria që do të ketë shteti në dy proceset që janë vënë si kushte: Marrëveshja për Stabilizim-Asociim dhe dialogu me Serbinë.
Demush Shasha nga Instituti Epik është skeptik që Qeveria “Hoti” do t`i çojë përpara këto procese.
Arsye për këtë, sipas tij, është mbështetja minimale që ka Qeveria e re në Kuvend.
“Fakti që Qeveria “Hoti” qëndron në këmbë vetëm falë një vote është një fakt i cili nuk jep shumë shpresë. Kemi parë ndër vite Qeveri të cilat janë gëzuar mbështetje mbi 80 vota dhe nuk kanë arritur te shtyjnë përpara reformat tona integruese. Që në start duhet të jemi skeptikë për mundësitë e Qeverisë “Hoti” që të shtyjë përpara reformat integruese”, u shpreh ai për Front Online.
Por, legjitimiteti i vogël i Qeverisë “Hoti” nuk pritet të jetë problem procesin tjetër të papërfunduar, çështjen e liberalizimit të vizave.
Ky proces, siç thotë Shasha, kryekëput varet nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe nga lufta kundër korrupsionit.