
Kryeministri, Avdullah Hoti ka komentuar veprimin e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani e cila refuzoi ta udhëheqë seancën ku u votua qeveria e re.
Hoti tha se nuk është zemëruar aspak me Osmanin pasi sipas tij, ajo ka të drejtë t’ia kalojë udhëheqjen e seancës edhe zëvendësve të saj.
“Besoj që i ka takuar, është dashtë, është obligim kushtetues ta udhëheq seancën. Mirëpo kjo nuk më ka zemëruar aspak sepse ka të drejtë t’ia kalojë edhe zëvendësve të vet udhëheqjen e seancës”, ka deklaruar Hoti në RTK.
Kujtojmë se seanca e Kuvendit ku u votua Qeveria Hoti u udhëheq nga nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, pasi kryeparlajmentarja Osmani nuk kishte pranuar ta drejtoj seancën.
Osmani kishte thënë se kjo qeveri nuk mund të përfaqësojë vullnetin qyetetar, pasi që ajo thotë se Qeveria Hoti varet tërësisht nga Lista Serbe, rrjedhimisht nga Beogradi.