
Komandanti i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës Rrahman Rama në një intervistë për “Front Online”, ka thënë se procesi i tranzicionit të FSK-së në ushtri të plotë është ndihmuar shumë nga aleatët ndërkombëtarë. Kështu Rama theksoi se nga viti 2014, kanë qenë të njohura detyrat dhe obligimet e kësaj force.
“Realisht nga momenti që janë ndryshuar ligjet, ne kemi një plan afatgjatë që e kemi ndërtuar së bashku me partnerët tanë strategjik, por edhe me ekipin e NALT-it ose të NATO-së, që është përbrenda institucionit tonë. Prej vitit 2014 kur është bërë rishikimi i sektorit të sigurisë, ne e kemi ditur detyrat dhe obligimet e tona dhe e kemi ndërtuar nja plan afatgjatë të tranzicionit”, ka thënë Rama.
Për sa i përket shndërrimit të kësaj force në ushtri në vitin 2018, Rama ka theksuar se deri në atë vit, nuk e kanë ditur që do të bëhet Ushtria.
“Çfarë mund të them është se gjatë kësaj periudhe kohore i kemi tejkaluar ato të priturat tona dhe jemi në rrugë të mirë që të fillojmë tani me ndërtimin e kapaciteteve të reja. Ju thashë administrative, mbi bazën e ndryshimeve të ligjeve të brendshme të funksionit të FSK-së, por në të njëjtën kohë tani jemi në fazën e dytë që është ndërtimi i kapaciteteve trajnuese gjithmonë duke u nisur prej mandatit dhe misionit të ri që e kemi”, ka thënë komandanti i FSK-së për Front Online.