
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca e ka quajtur “skandaloz” vendimin e Gjykatës Kushtetuese ndërsa ka thënë që ky vendim do të shkaktojë “revoltë qyrtetare”.
Konjufca ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon precedent të rrezikshëm në jetën parlamentare të vendit.
“Revolta vjen prej pakënaqësisë së natyrshme që nuk ka me pasë të votohet më në Kosovë dhe tash e tutje krijohet një sistem politik në të cilin nëse nuk e ke fituar 51 % të votave, nuk ke fituar asnjë votë. Gjithçka më pak se 51 e votave, ia garanton partnerit të koalicionit që të të rrëzojë kur të dojë dhe të bëjë marrëveshje brenda 25 minutave me partitë opozitare”, ka thënë Konjufca.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që t’i japë të drejtë presidentit Hashim Thaçi rreth dekretit për mandatarin e Qeverisë.
Kushtetuesja vlerësoi se presidenti ka vepruar në përputhshmëri me nenin 82, paragrafi 2, të Kushtetutës me rastin e mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër nga LDK-ja. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, votimi i suksesshëm i mocionit të mosbesimit nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re. Ajo po ashtu ka shfuqizuar masën e përkohshme të pezullimit të këtij dekreti.
Dekretin e presidentit Thaçi në Kushtetuese e kishte dërguar për interpretim Vetëvendosje, pasi ajo si parti fituese e zgjedhjeve këmbëngul se Kushtetuta ia mundëson vetëm asaj propozimin e mandatarit për formim të Qeverisë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë ditëve të shkuara ka thënë se do të pranojë vendimin vetëm nëse ai ka të bëjë me interpretim, e jo me amandamentim.