
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, në një intervistë për Front Online, ka folur për punën që është bërë në këtë Ministri që nga marrja e mandatit nga ish-ministri Rrustem Berisha që tani mban pozitën e këshilltarit të ministrit Quni.
Ai thotë se proceset në këtë Ministri po vazhdojnë me dinamikën e njëjtë, dhe se e ka më lehtë që para tij këtë ministri e ka udhëhequr bashkëluftëtari i Koshares, Rrustem Berisha.
Ministri Quni thotë se për shumë vjet e ka përcjellur punën në këtë dikaster, në disa raste duke qenë edhe pjesë e proceseve të rëndësishme, dhe kjo i ka ndihmuar që të mos ketë vështirësi në përgjegjësitë që ka marrë.
Quni: Ushtria e Kosovës me kapacitete të plota në vitin 2027
“Unë kam pasë fatin e mirë që si deputet i Parlamentit të Kosovës dhe anëtar i Komisioneve të ndryshme për Mbikëqyrjen e Sektorit të Sigurisë, kam qenë i afërt me të gjitha proceset dhe zhvillimet brenda FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Kështu që kam qenë mjaft i familjarizuar me misionin, me detyrat dhe vështirësitë e tjera. Unë kam pranuar detyrën nga një bashkëluftëtarë i imi me të cilin kemi qenë s’bashku në Betejën e Koshares dhe kemi punuar bashkë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, në Forcat e Sigurisë së Kosovën, me z.Rrustem Berishën”, tha ai në një intervistë për Front Online.
E, duke folur për vendimet e punën që është bërë në këtë Ministri, Quni thotë se janë ndërtuar objektivat për vitin 2020 dhe 2021.