
Ish-kryeministrit dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinajt duket se nuk i ka pëlqyer aspak një deklaratë e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit se do t’i japte menjëherë 17 fshatra të Leposaviqit e Zubin Potokut për Preshevën, Bujanovcin e Medvegjën.
Haradinaj tha se ndjehet i sigurt se në qeveri me LDK-në nuk do të lejohet shkëmbimi i territoreve me Serbinë. Sipas tij, Haziri atë deklaratë e ka bërë për vota.
“Unë ndjej një siguri se me LDK-në, në të gjitha bisedat që kam pasur, përjashto Lutfi Hazirin që ai e bën për pak vota se ai e ka Anamoravën afër aty, e Preshevën (qesh)”, ka thënë Haradinaj në KTV.
Ai thotë se nuk ka biseduar me Hazirin, por ka thënë se nuk është në rregull të bëhen deklarata të tilla.
“Me Lutën s’kam pasë bisedë. E kam dëgju një ditë që tha për do fshatra, tha i kisha jep për atë e për këtë. Po folin si lehtë këta kështu, por nuk është në rregull”, ka thënë Haradinaj.
“Rreziku mbetet te presidenti, jo te qeveria”, ka thënë ai. Sipas Haradinajt, qeveria e re “nuk eksperimenton me kufijtë Kosovë-Serbi”.