
1280 paga të punëtorëve të kombinatit metalurgjik “Trepça” Sh.a. janë ekzekutuar sot nga menaxhmenti.
Kështu ka bërë të ditur kryeministri në detyrë Albin Kurti gjatë vizitës së tij menaxhmentit dhe Bordit të Trepçës sot në Mitrovicë.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë subvencion prej 3.5 milionë euro për Trepçën, në mënyrë që kjo e fundit t’i paguajë obligimet dhe pagat e punëtorëve.
“Qeveria e Kosovës është duke punuar që problemet sociale të ndërmarrjes të tejkalohen sa më parë dhe që të fokusohemi tek aspekti zhvillimor. Trepça është organizatë e punëtorëve, pasuri kombëtare por edhe industri prodhuese. Roli i kësaj ndërmarrjeje është përtej ekonomik. Është edhe historik dhe shtetndërtues”, ka thënë Zyra e Kryeministrit Kurti përmes një komunikate për media.
Komunikata e qeverisë thotë “kjo Qeveri është e përkushtuar që të rimëkëmb këtë ndërmarrje”.