
Një 26 vjeçar nga Komuna e Gjilanit ka humbur dje jetën në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, 24-orë pas vendosjes së tij në karantinë. Ndonëse ende nuk dihen arsyet se pse tashmë i ndjeri e ka kryer këtë veprim, sipas psikologëve, izolimi, karantinimi dhe mungesa e jetës sociale ka ndikuar që të rritet monotonia dhe disponimi duke ndikuar kështu edhe tek psikologjia e njerëzve.
Psikologu Besnik Peci i ka thënë portalit “Front Online”, se Coronavirusi ka ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe të funksionarit në përgjithësi.
“Virusi COVID-19 ka ndryshuar shumë mënyrën e të menduarit dhe funksionimin tonë në përgjithësi. Unë besoj se pas karantinës do të mendojmë ndryshe se si ne e projektojmë të ardhmen, si e zhvillojmë të tashmen, sa kohë kalojmë me familjen, rrethin tonë shoqërorë etj. Ky proces i ristrukturimit të mendimit dhe sjelljes merr energji dhe kërkon forcë fizike e më shumë durim e forcë psikologjike”, ka thënë ai.
Rikthimi në normalitet dhe largimi nga lajmet ditore rreth virusit, sipas psikologut Besnik Peci do të ndikonin që tek qytetarët të largohet ankthi dhe stresi gjatë kësaj periudhe.
“Rikthimi në normalitet do t`i ndihmonte. Largimi nga lajmet ditore rreth virusit, kapitalizmi i kësaj kohe secili sipas afiniteteve të tij, filozofi të mendoj për perspektivat e reja filozofike të shkruaj mbi to, shkrimtari të shkruaj për këtë gjendje mund të jetë kryevepër nesër, psikologët të ofrojnë ndihmë online t’i shërbejnë atdheut të tyre, mjekët të japin gjithçka nga vetja për secilën jetë, e kështu me radhë secili”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka theksuar që duhet që sa më parë të përfshihen në shkolla psikologët.
“E institucionet duhet sa më shpejt të involvojnë psikologet në shkolla sepse kjo situatë pritet të ketë pasoja afatgjate. Sikurse luftërat që japin ndjenjën e cenimit të ekzistencës njëjtë e bënë edhe pandemia andaj traumat pritet të jenë afatgjata”, ka thënë ai. /Front Online
Peci: 90% e vetëvrasjeve, rezultat i akumulimit të energjisë negative për mbi 6 muaj