
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se e e ka mirëpritur thirrjen e Ministrisë së Shëndetësisë që institucionet relevante të hetojnë çdo shkelje të mundshme në procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga kjo ministri gjatë përballjes me pandeminë COVID-19, raporton “Front Online”.
“AKK dëshiron të ritheksojë se përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia COVID-19, institucioni ynë është duke vazhduar që të jetë në krye të detyrave që u takojnë, dhe se do ta autorizojë Divizionin e Anti-kartel për te filluar shqyrtimin paraprak lidhur me rastet e MSH-së”, thuhet në njoftim.
AKK iu ka bërë thirrje institucioneve që ta thellojnë bashkëpunimin me Autoritetin e Konkurrencës.
“Me këtë rast, dëshirojmë të njoftojmë të gjitha institucionet e Kosovës se viteve të fundit AKK ka rritur edhe numrin e këshillimeve profesionale ndaj institucioneve të ndryshme. Në këtë kontekst, u bëjmë thirrje institucioneve që ta thellojnë bashkëpunimin me Autoritetin e Konkurrencës në mënyrë që të evitohen çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës në prokurim publik apo për çështje të tjera”, thuhet në njoftim.
Ky reagim i AKK-së vjen pasi që ministria e Shëndetësisë dje më 26 prill i ka bërë thirrje të gjitha organeve mbikëqyrëse të Prokurimit Publik, Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe Policisë së Kosovës-Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike që të hetojnë çdo shkelje të mundshme në procedurat e prokurimit publik ku autoritet kontraktues është kjo ministri. /Front Online