
Presidenti amerikan Donald Trump është kritikuar ashpër nga komuniteti mjekësor pasi sugjeroi kërkime nëse koronavirusi mund të trajtohet duke injektuar dezinfektues në trup.
Ai gjithashtu propozoi rrezatimin e trupave të pacientëve me dritë ultraviolete, një ide e hedhur poshtë nga një mjek në konferencë.
Një tjetër prej zyrtarëve të tij kishte thënë se rrezet e diellit dhe dezinfektuesi ishin të njohura për vrasjen e infeksionit.
Dezinfektuesit janë substanca të rrezikshme dhe mund të jenë helmuese nëse gëlltiten.
Edhe ekspozimi i jashtëm mund të jetë i rrezikshëm për lëkurën, sytë dhe sistemin e frymëmarrjes, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.
Çfarë tha presidenti Trump?
Gjatë konferencës së të enjtes në Shtëpinë e Bardhë të Task-Forcës për koronavirusin një zyrtar i atjeshëm prezantoi rezultatet e hulumtimit të qeverisë amerikane që treguan se koronavirusi duket se dobësohet më shpejt kur i ekspozohet rrezeve të diellit dhe nxehtësisë.
Studimi gjithashtu tregoi se dezinfektuesi mund të shkatërronte virusin në pështymë ose lëngje të frymëmarrjes brenda pesë minutave dhe alkooli izopropil mund ta vriste atë edhe më shpejt.
William Bryan, ushtrues i detyrës së drejtorit të Shkencës dhe Teknologjisë së Departamentit të SHBA-ve për Sigurinë e Atdheut, përshkroi gjetjet në konferencën për shtyp.
Ndërsa vuri në dukje se kërkimi duhet të trajtohet me kujdes, Trump sugjeroi kërkime të mëtejshme në këtë fushë.
“Pra, duke supozuar se goditëm trupin me një dritë të jashtëzakonshme – qoftë ultravjollce apo thjesht dritë shumë e fuqishme”, tha presidenti amerikan, duke iu drejtuar Dr. Deborah Birx, koordinatore përgjegjëse rreth koronavirusit e Shtëpisë së Bardhë, “dhe unë mendoj se ju thatë se kjo nuk është kontrolluar, por ju do të provoni atë”.
“Dhe atëherë unë thashë, duke supozuar se sollët dritën brenda trupit, të cilën mund ta bëni ose përmes lëkurës ose në ndonjë mënyrë tjetër. Mendoj se keni thënë që do të provoni edhe këtë. Tingëllon interesante”, vazhdoi Trump.
“Dhe atëherë unë e shoh dezinfektuesin ku ai e zhduk (viursin) brenda një minute. Një minutë. Dhe a ka ndonjë mënyrë që të mund të bëjmë diçka të tillë, me injeksion brenda ose pothuajse pastrim?
“Kështu që do të ishte interesante ta kontrollosh këtë”, iu drejtua ai mjekes Deborah Brix, transmeton Klan Kosova.
Mjekët paralajmëruan që ideja e presidentit Trump mund të ketë rezultate fatale
Pulmologu Dr Vin Gupta tha për NBC News: “Ky nocion për injektimin ose gllabërimin e çdo lloji të produktit pastrues në trup është i papërgjegjshëm dhe është i rrezikshëm”.
“Është një metodë e zakonshme që njerëzit përdorin kur duan të vrasin veten.”
Kashif Mahmood, një mjek në Charleston, Virxhinian Perëndimore shkroi në Twitter: “Si mjek, unë nuk mund të rekomandoj injektimin e dezinfektantëve në mushkëri ose përdorimin e rrezatimit UV brenda trupit për të trajtuar Covid-19”.
“Mos merrni këshilla mjekësore nga Trump.”