
Shtatë vatra të zjarreve vazhdojnë të jenë aktive në disa rajone në Shqipëri.
Sipas përditësimit të të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, gjatë kësaj të diele deri në orën 14:00 janë raportuar 15 vatra zjarri, prej të cilave shtatë vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa tetë janë nën mbikëqyrje.
Në operacionet për përballimin e situates, sipas njoftimit, janë angazhuar gjithsej 213 forca, nga të cilat 153 forca operacionale dhe 60 efektivë të Forcave të Armatosura.
Gjithashtu, në terren janë 10 mjete zjarrfikëse dhe një ekskavator i rëndë me zinxhir, derisa ndërhyrja nga ajri po realizohet me dy helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.
“Një prej zonave ku vijon ndërhyrja është Mali i Dajtit, ku janë angazhuar 15 zjarrfikës dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, me mbështetjen e një helikopteri. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vëmendja kryesore e strukturave është përqendruar në Krastë të Krujës, ku zjarri vijon me intensitet dhe pranë zonave të banuara. Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Krujës, me mbështetje nga Kamza dhe Vora, ndërsa ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri me një helikopter.”, thuhet në njoftim.